Aktualitet

"Dita kur fati i historisë së Kombit ndryshoi!" Përkujtohet sot nisja e Epopesë së UÇK-së

Kjo ishte dita kur fati e historisë së kombit shqiptar në Kosovë do ndryshonte njëherë e përgjithmonë, dita kur heroizmi i kombit do vihej në pah, dita kur familja Jashari në krye me Adem dhe Hamëz Jasharin do përballeshin me makinerinë luftarake kriminale serbe.

5 Mars 2025, 13:43 Nga M.B
"Dita kur fati i historisë së Kombit ndryshoi!"
Foto ilustruese

KOSOVA- Më 5 mars 1998 nisi Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kjo ishte dita kur fati e historisë së kombit shqiptar në Kosovë do ndryshonte njëherë e përgjithmonë, dita kur heroizmi i kombit do vihej në pah, dita kur familja Jashari në krye me Adem dhe Hamëz Jasharin do përballeshin me makinerinë luftarake kriminale serbe.

Sulmi i gjerë që Serbia e kishte ndërmarrë në Drenicë për të eliminuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës ishte kthyer në një rrethim të hekurt për lagjen e Jasharëve në Prekaz, që ishte qendra dhe simboli i luftës për liri në Kosovë. Kjo ngjarje e rëndë më 5, 6 e 7 mars të vitit 1998 kishte ngritur çështjen e Kosovës në krye të axhendës botërore, dhe vazhdon të jetë një kujtim i lavdishëm për historinë e kombit tonë.

Me rënien heroike të familjes Jashari, Kosova mundi frikën dhe i hapi shtigjet e lirisë dhe të ardhmërisë. Në lagjen e Jasharëve në Prekaz është ngritur monumenti më i madh për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe më 5, 6 e 7 mars të çdo viti, kombi shqiptar kthehet me respekt dhe admirim për ta kujtuar këtë ngjarje të lavdishme të historisë sonë. Epopeja mbyllet me Natën e Zjarreve në Prekaz dhe një programnë shehin “Adem Jashari” në Skënderaj.

Axhenda e plotë:

E mërkurë, 5 mars

08:00 Ora e parë mësimore në të gjitha shkollat e Republikës së Kosovës i kushtohet Epopesë së UÇK-së

10:00 Mbledhja solemne e Qeverisë së Republikës së Kosovës

10:00 Seanca solemne nga Kuvendet e Komunave të Republikës së Kosovës Rreshtimi i kuadrateve të FSK-së në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë

14:00 Turne në Futsall, palestra “Ilaz Kodra” në Skënderaj

14:30 Turne në Volejboll në Skënderaj.

E enjte, 6 mars

10:00 Krerët e shtetit homazhe në Kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz Homazhe nga komunat në të gjitha komplekset memoriale të dëshmorëve Parakalimi i motorklubeve në Skënderaj;

10:00 Homazhe nga komunat në të gjitha komplekset memoriale të dëshmorëve;

12:00 Parakalimi i motorklubeve në Skënderaj;

19:00 Akademi përkujtimore për Epopenë e UÇK-së në Prishtinë.

E premte, 7 mars

19:00 Ndezja e flakadanëve në shtatë rajone të Republikës së Kosovës;

19:00 Nata e zjarreve në Prekaz;

19:30 Programi artistik në Sheshin “Adem Jashari” në Skënderaj.

 

Familja Jashari

Që nga viti 1991 deri më 1998, Prekazi dhe Drenica ishin të rrethuar nga forcat paramilitare serbe. Synimi ishte vrasja e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari dhe familjes së tij, për të shuar dhe shtypur rezistencën që familja Jashari me në krye Ademin e Hamzën po ia bënin regjimit të Sllobodan Millosheviç.

Më 30 dhjetor të vitit 1991 kryhet sulmi i parë ndaj familjes Jashari. Ndërsa sulmin e dytë forcat paramilitare serbe e kryen në muajin janar, 1998. Më 22 janar forcat serbe sulmuan familjen Jashari, por edhe kësaj beteje, fëmijët dhe gratë e familjes Jashari i rezistuan. Megjithatë, në këtë betejë që zgjati afër 30 minuta, të plagosura mbeten Iliriana, vajza e Rifat Jasharit dhe Selvetja, vajza e Hamzë Jasharit.

Pas këtij sulmi, familjes Jashari i erdhën miq, shok e bashkëkombës për t’u solidarizuar me ta. Ata i kërkuan kryefamiljarit Jashari që t’i tërheqin gratë dhe fëmijët nga aty. Por, edhe gratë dhe fëmijët kishin marr vendimin që të qëndrojnë, duke thënë se “po të vriten djemtë, nuk na vyen jeta të jetojmë”.

Dhe vendosen të qëndrojnë, qëndruan për t’i treguar botës se shqiptarët nuk shkojnë askund përtej truallit dhe shtëpive të tyre, shkruan KosovaPress. Sulmi i tretë, që ndodhi më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, mori jetën e 55 njerëzve në fshatin Prekaz, 22 prej të cilëve ishin familjarë të ngushtë të Adem Jasharit. Këtij sulmi i mbijetoi vetëm Bashkimi, djali i Rifatit, i cili ia del që mes datës 5-6 mars të largohet nga rrethina dhe arrin t’i shpëtojë sulmit, si dhe Besarta, vajza e Hamzës, e cila pa dhe përjetoj tmerrin derisa vriteshin anëtarët e familjes së saj.

epopeja e uck

Sondazh

Poll