Bota

Bomba tymi dhe incidente të tjera në Kuvendin e Serbisë, debati vazhdon nesër

Pavarësisht tymit, kryetarja e Kuvendit, Ana Bërnabiç ka refuzuar mbylljen e seancës dhe e ka akuzuar opozitën se po vepron si “bandë terroriste”.

4 Mars 2025, 19:30 Nga r.ll
Bomba tymi dhe incidente të tjera në Kuvendin e Serbisë, debati
pamje nga seanca plenare

SERBI- Bombat me tym në sallën e Kuvendit të Serbisë kanë shënuar nisjen e sesionit të rregullt pranveror, më 4 mars. Seanca pritet të vazhdojë të nesërmen. Deputetët e opozitës lëshuan dy herë bomba tymi dhe aktivizuan mjete piroteknike në Kuvend, pasi deputetët e koalicionit qeverisës miratuan rendin e ditës, të cilin opozita e kundërshtoi.

Deputetët opozitarë iu afruan tavolinës së kryetarit, aktivizuan bomba me tym të kuq dhe të zi dhe shpalosën një pankartë ku shkruhej “Serbia po ngrihet për të rrëzuar regjimin”. Ekipi i Radios Evropa e Lirë, i pranishëm në vendngjarje, raportoi se tymi nga mjetet piroteknike, mund të nuhatej edhe në korridoret e kuvendit.

Pavarësisht tymit, kryetarja e Kuvendit, Ana Bërnabiç ka refuzuar mbylljen e seancës dhe e ka akuzuar opozitën se po vepron si “bandë terroriste”.

“Serbia nuk do të ndalet. Revolucioni juaj me ngjyra ka dështuar”, ka thënë Bërnabiç në sallë. Më pas, ministrat dhe deputetët e partive në pushtet kanë nisur të diskutojnë për pikat e agjendës. Opozita i ka penguar ata duke bërtitur, dhe në një pikë, deputetët opozitarë kanë lëshuar prapë bomba tymi dhe kanë aktivizuar një fikës zjarri.

Paraprakisht, Qeveria miratoi rendin e ditës me 62 pika, por refuzoi kërkesën e opozitës që të diskutohej vetëm për ndryshimet në Ligjin për Arsimin e Lartë. Këto të fundit janë kërkesë e studentëve që protestojnë në Serbi, që nga shembja vdekjeprurëse e një strehe në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit, më 1 nëntor të vitit të kaluar.

Në seancë duhej të miratohej edhe dorëheqja e kryeministrit të Serbisë, Millosh Vuçeviç, të cilën ai e ofroi më 28 janar, nën presionin e protestave të studentëve.

"Ne konsiderojmë se Qeveria ka rënë. Ju nuk keni të drejtë të propozoni ligje, derisa jeni në dorëheqje. Ju duhet ta arrestoni veten dhe të mos bëni cirk", tha deputetja e Partisë për Liri dhe Drejtësi, Marinika Tepiç.

Disa deputetë të opozitës në sallë mbajtën edhe fotografi me duar të përgjakura dhe pankarta ku shkruhej: "Grevë e përgjithshme", "Studentët kanë të drejtë" dhe "Mësimdhënës, jemi me ju". Bërnabiç tha, po ashtu, se deputetja e koalicionit qeverisës, Jasmina Obradoviç, "pësoi goditje në tru" pas incidentit në Kuvend dhe se është "në rrezik për jetën".

Ajo tha se edhe dy deputete të tjera janë lënduar. Një gazetar i Radios Evropa e Lirë raportoi se ekipet mjekësore të urgjencës hynë në Kuvendin e Serbisë pas incidentit. Prokuroria Themelore në Beograd i ka nisur kërkesë policisë për mbledhjen e informatave të nevojshme në lidhje me incidentin

Para ndërtesës së këtij institucioni u mblodhën edhe studentë dhe qytetarë të tjerë, të cilët paraprakisht nderuan 15 viktimat e tragjedisë në Novi Sad, duke bllokuar për 15 minuta një udhëkryq pranë.

Bërnabiç tha më herët se është arritur marrëveshje me përfaqësuesit e të gjitha universiteteve shtetërore për ndryshime në Ligjin për Arsimin e Lartë dhe se me këtë do të përmbushet kjo kërkesë e studentëve. Qeveria pretendon se janë plotësuar edhe kërkesat e tjera të studentëve. Studentët thonë se bllokadat dhe protestat e tyre do të vazhdojnë dhe se grupet e ekspertëve do të përcaktojnë nëse kërkesat janë plotësuar ose jo./REL

debati ne kuvendin serb

Sondazh

Poll