Politike

KQZ kërkon fond shtesë për votën e emigrantëve, kërkon edhe 80 punonjës nga Kuvendi dhe Ministria e Financave: Shpenzimi i postës për diasporën është 12,5 mln euro

KQZ kërkoi gjithashtu edhe 80 punonjës shtesë për Diasporën, pasi regjistrimet parashikohet se do të shkojnë tek shifra 250 mijë emigrantë.

25 Shkurt 2025, 10:56 Nga N.F
KQZ kërkon fond shtesë për votën e emigrantëve,
KQZ

TIRANË- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i është drejtuar Kuvendit të Shqipërisë dhe Ministrisë së Financave me një kërkesë ndërsa ka kërkuar për fond shtesë për votën e Diasporës dhe mbulimin e postës. Gjithashtu KQZ ka kërkuar edhe shtim të stafit me punonjës në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të 11 Majit. Në dokument bëhet me dije se nga të dhënat e deritanishme mbi regjistrimin e votuesve nga jashtë tregojnë për një numër të lartë të tyre. Sipas KQZ vlerësohet se ky numër do të jetë midis 200-250 mijë votues nga jashtë.

Më tej bëhet me dije se totali i postës për diasporën që kërkohet të mbulohet si shpenzim është 12,5 mln euro. Nga këto 5 mln euro ishin dhe shtesa është 7,5 mln euro. KQZ kërkoi gjithashtu edhe 80 punonjës shtesë për Diasporën, pasi regjistrimet parashikohet se do të shkojnë tek shifra 250 mijë emigrantë. Gjithashtu KQZ ka vendosur të zhvillojë edhe votimin elektronik për disa zona në qarkun e Tiranës.

Shifrat sipas KQZ:

7.5 mln euro për shërbimin postar

263 mijë euro për sistemet TIK-kamera etj.

61 mijë euro baza materiale

300 mijë euro fushata informuese

280 mijë euro paga e sigurime për punonjësit e përkohshëm

870 mijë euro suport për votimin elektronik

105 mijë euro rikonstruksion i sallës së serverave

 

PJESË NGA KËRKESAT E KQZ-SË:

 

Drejtuar: KUVENDIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

KOMISIONIT PËR ÇËSHTJET LIGJORE, ADMINISTRATËN

DHE TË DREJTAT E NJERIUT

Bulevardi "Dëshmorët e Kombit", nr. 4, Tiranë

Lënda: Dërgohet për shqyrtim dhe miratim propozimi për strukturën, organikën dhe klasifikimin e pagave të personelit me kohë jo të plotë pune në mbështetje të procesit të votimit nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë për zgjedhjet për Kuvend 2025 strukture

 

Të nderuara,

Së pari, dëshiroj të shpreh konsiderata të larta për punën tuaj dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërmjet institucioneve tona.

Në mbështetje të nenit 19, pika 1, shkronja "m", të ligjit nr. 10 019, datë 29.12.2008, "Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë", i ndryshuar, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve përgatit dhe i përcjell për miratim Kuvendit të Shqipërisë strukturën dhe organikën e administratës së KQZ-së me kohë të plotë pune dhe asaj jo të plotë pune.

Bashkëlidhur ju dërgojmë për shqyrtim dhe miratim strukturën/organikën dhe klasifikimin e pagave të personelit me kohë jo të plotë pune të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve shoqëruar me lidhjen nr. 1, ku janë përcaktuar kategoria/niveli i pagave të pozicioneve të punës, periudha dhe kriteret e punësimit të punonjësve që do të rekrutohen me kohë jo të plotë pune.

KOMISIONERI SHTETËROR I ZGJEDHJEVE

Lënda: Kërkojmë shtesë fondesh buxhetore për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në funksion të zgjedhjeve për Kuvend të datës 11 Maj 2025, në buxhetin e vitit 2025

 

MINISTRISË SË FINANCAVE

Bulevardi "Dëshmorët e Kombit", Tiranë

KËSHILLIT TË MINISTRAVE

Bulevardi "Dëshmorët e Kombit", Tiranë

Në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të datës 11 Maj 2025, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kërkon disa shtesa në buxhetin e këtij institucioni. Lutem gjeni në vijim vlerat dhe shpjegimet përkatëse për këto shtesa:

1. Në ligjin nr. 10019, datë 29.12.2008 "Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë" i ndryshuar, parashikohet që shpenzimet për dërgimin dhe kthimin e fletës së votimit dhe çdo materiali tjetër zgjedhor dhe informativ nga KQZ tek votuesit nga jashtë, paguhet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Të dhënat e deritanishme mbi regjistrimin e votuesve nga jashtë tregojnë për një numër të lartë të tyre. Vlerësohet se ky numër do të jetë midis 200-250 mijë votues nga jashtë.

KQZ në buxhetin e miratuar për zgjedhjet 2025 për shërbimin postar të votuesve nga jashtë ka miratuar fondet buxhetore vetëm për 100,000 votues në shumën 500,000,000 lekë. Për votuesit mbi këtë numër KQZ ka përgatitur dy skenarë (5 mijë lekë/votues shërbim postar)

a. Skenari nr.1: projeksioni i rritjes me 150,000 votues nga jashtë vendit kërkon mbështetje me fonde buxhetore shtesë në shumën 750,000,000 lekë. Skenari nr.2: projeksioni i rritjes me 100,000 votues nga jashtë vendit kërkon mbështetje me fonde buxhetore shtesë në shumën 500,000,000 lekë.

b. Në funksion të realizimit me sukses të proçesit të votimit nga jashtë parashikohen shërbime për sistemet TIK të monitorimit/ ruajtjes dhe sigurisë fizike të vendit të përgatitjes së bazës materiale si dhe në ambientet për numërimin dhe ruajtjen e votave, shpenzime infrastrukture dhe bazë materiale. Fondet e nevojshme për këto shërbime përllogariten në shumën 26,300,000 lekë.

c. Rritja e numrit të votuese me jashtë detyrimisht shoqërohet dhe me ndryshime të bazës materiale të nevojshme si kuti votimi, proces verbale, zarfa etj. Fondet e nevojshme për këto materiale përllogariten në shumën rreth 6,100,000 lekë

d. Fushata informuese për zgjedhjet e 11 Majit 2025, për votimin nga jashtë për shkak të ndryshimeve të Kodit Zgjedhor të datës 17.02.2025, pëson ndryshime duke nisur nga prodhimi i spoteve, tutorialeve, fushata online, si dhe fushata outdoor e KQZ-së. Fondet e nevojshme shtesë për fushatën informuese janë në shumën 30,000,000 lekë.

kqz vota e diaspores

Sondazh

Poll