Politike

Meta nga burgu depoziton në KQZ kërkesën për të regjistruar Partinë e Lirisë në zgjedhjet e 11 majit

Në kërkesën e tij të depozituar në KQZ Meta shkruan se do të zbatojnë parimet bazë të trashëgimisë zgjedhore europiane për votim universal, të barabartë, të lirë, të fshehtë, dhe të drejtpërdrejtë.

20 Shkurt 2025, 15:36 Nga N.F
Meta nga burgu depoziton në KQZ kërkesën për të
Meta

TIRANË- Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka depozituar ditën e sotme në KQZ kërkesën për të regjistruar PL-në në zgjedhjet e 11 majit. Në kërkesën e tij të depozituar në KQZ Meta shkruan se do të zbatojnë parimet bazë të trashëgimisë zgjedhore europiane për votim universal, të barabartë, të lirë, të fshehtë, dhe të drejtpërdrejtë. Ai thekson se partia e tij nuk do të përfshihet në praktika kërcënuese ose pengim për të ushtruar të drejtën e votës dhe shprehjen e lirë të vullnetit të zgjedhësve.

Përmes një postimi në rrjetin e tij social Facebook, Tedi Blushi shkruan se Partia e Lirisë, me kërkesën e Metës është regjistruar zyrtarisht për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare të 11 Majit. Ai shton që PL-ja me programin e tij  i jep fund shpopullimit dhe varfërisë dhe e shndërron Shqipërinë në fuqi prodhuese dhe eksportuese. Blushi thekson se PL do të realizojë ndryshimin historik, fitoren e padiskutueshme të opozitës dhe largimin e Narkoqeverisjes së Ramës.

Pjesë nga kërkesa e Metës: 

DEKLAROJ NË CILËSINË E KRYETARIT TË PARTISË:

Angazhimin solemn të Partisë tonë se, pjesëtarët e strukturave drejtuese dhe administrative, të anëtarësisë, kandidatëve për deputetë/ drejtues/ anëtarë të organeve të qeverisjes vendore, deputetë/drejtues/ anëtarë të organeve të qeverisjes vendore dhe gjithë strukturave të tjera të angazhuara nga subjekti në këto zgjedhje, funksionarë/ ish funksionarë publik do të refuzojnë të marrin pjesë në praktikat e blerjes së votës, marrjes së financimeve apo përfitimeve të kundërligjshme, veçanërisht nga ato që vijnë nga aktivitete kriminale.

Angazhohemi të zbatojmë rregulla për të gjithë anëtarësinë, administratën dhe ndjekësit tanë që: Të mos premtojnë/ ofrojnë/ japin para, mallra, shërbime dhe/ose nxisin premtime për punësim apo trajtime të tjera të veçanta votuesve dhe/ose të tjerëve, duke përfshirë familjet e votuesve apo komuniteteve të ndryshme apo të veprojnë në mënyrë të tillë që synohet të ndikojë, ose arsyeshëm pritet të ndikojë në mënyrën se si votuesit japin votën e tyre;

• Të zbatojmë parimet bazë të trashëgimisë zgjedhore europiane për votim universal, të barabartë, të lirë, të fshehtë, dhe të drejtpërdrejtë;

• Të respektojmë të drejtat dhe liritë politike të shtetasve, organizatave, partive politike, për të promovuar dhe debatuar çështje politike;

• Të mos përfshihemi në praktika kërcënuese ose pengimi për të ushtruar të drejtën e votës dhe shprehjen e lirë të vullnetit të zgjedhësve.

• Të bëjmë publike në kohë reale pranë KQZ-së dhe faqen zyrtare të subjektit tonë politik çfarëdolloj donacioni si dhe të refuzojmë dhurime në mjete monetare apo në natyrë që:

Tejkalojnë limitin e përcaktuar për donacion; Janë kontribute në para apo në natyrë me prejardhje nga burime të ndaluara që përfshijnë edhe të ardhurat nga krimi, individë, kompani të huaja nga vende me origjinë të dyshimtë/të parajsave fiskale;

Janë donacione të cilat nënkuptojnë apo perceptohen si favorizime për dhënie kontrata publike, emërime në funksione publike apo përfitime të tjera që shkojnë në emër e për llogari të dhuruesit.

ilir meta partia e lirise kqz

Dokumenta bashkëngjitur

Sondazh

Poll