Politike

"Armiku më i madh është armiku i brendshëm"/ Berisha për deklaratën e Trump: E ngjashme me atë të Gorbaçovit! Censura paraqet rrezik për kombin e lirë

Berisha thotë se Trump ka bërë një deklaratë të ngjashme, por më të fuqishme, duke iu referuar armikut të brendshëm që ndodhet brenda establishmentit amerikan, duke përmendur një akt të dyshuar të kryediplomatit amerikan lidhur me laptopin e Hunter Biden.

20 Shkurt 2025, 13:18 Nga B.Z
"Armiku më i madh është armiku i brendshëm"/
Berisha

TIRANË - Kreu i PD-së, Sali Berisha ka komentuar këtë të enjte deklaratat e presidentit amerikan Donald Trump, i cili u shpreh se armiku më i madh i një vendi është armiku i brendshëm. 

Berisha e lidh këtë me një deklaratë të Gorbaçovit, kur ai shpalli në ’89 se “Rusia është sot toka e askujt”, një thënie që, sipas Berishës, çoi në shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik.

Berisha thotë se Trump ka bërë një deklaratë të ngjashme, por më të fuqishme, duke iu referuar armikut të brendshëm që ndodhet brenda establishmentit amerikan, duke përmendur një akt të dyshuar të kryediplomatit amerikan lidhur me laptopin e Hunter Biden.

Pjesë nga fjala e Berishës:

Të nderuar të pranishëm, presidenti Donald Trump ka bërë një deklaratë.
Një deklaratë, të cilën jo të gjithë e kuptuan në gjithë dimensionin e saj, kur tha se armiku më i rrezikshëm për Amerikën është armiku i brendshëm.
Tani dua t’u them se në jetën time, unë këtë deklaratë e krahasoj me një deklaratë të Mihal Gorbaçovit, i cili në vitin 1989 deklaroi se Rusia është sot toka e askujt.
Me këtë deklaratë, Gorbaçov tregoi se ishte gjeniu, gjiganti i guximit njerëzor sepse në atë kohë Rusia ishte në kthetrat e mamuthit politik më të fuqishme që ishte Partia Komuniste e Bashkimit Sovjetik.
Por ky burrë me një kurajo mbinjerëzore i tha mamuthit se Rusia nuk është e jotja dhe se Rusia nuk ishte as e rusëve, as e popullit rus.
Mbi këtë tezë, mbi këtë bazë u shkërmoq perandoria e të keqes, Bashkimi Sovjetik dhe Rusia iu kthye rusëve, Kazakistani, kazakëve e me radhë.
Pra, ajo ishte një deklaratë gjeniale.
E vërteta është se më gjeniale është deklarata e Donald Trump se armiku më i rrezikshëm për SHBA është armiku i brendshëm.
Pra, cili është ky armik i brendshëm? Ky armik i brendshëm qëndron në establishment, në zyrat më të larta, më të rëndësishme.
Ky armik i brendshëm ishte kryediplomati i Amerikës dhe i botës, që kishte marrë, kishte mbledhur 51 firma për të mashtruar kombin amerikan dhe për t’i thënë se laptopi nuk ishte i Hunter Biden. Se Hunter Biden nuk kishte pasur kurrë laptop në jetën e tij, por e kishin lënë rusët tek një berber laptopin.
Dhe ky njeri, pasi u vërtetua nga hetimi i Kongresit se kishte kryer këtë akt, nuk kishte minimumin e integritetit të jepte dorëheqjen. Nuk ndjehej e turpëruar për aktin që kishte kryer.
Nuk e marr këtu për raportet e mia me Antony Blinken, por e marr se nuk është kuptuar sa duhet dimensioni i kësaj deklarate të Donald Trump.
Nuk është kuptuar sa duhet se çfarë rreziku të tmerrshëm paraqet për kombin e lirë censura.
Censurën amerikanëve nuk ua vendosi kinezi, as rusi. Jo mor jo. E vendosi ekstremi i majtë sepse donte të mbante me çdo kusht pushtetin.
Po ky atëherë është armik i lirisë se pushteti nuk mbahet me çdo kusht. Ti duhet të ndjekësh disa rregulla për të mbajtur gjallë demokracinë.
Dhe çfarë gjetën? Gjetën se ajo zyra e famshme e censurës që të kujtonte psikologjinë talebane, ajo që thoshte se po merrem me dezinformimet ruse dhe kineze, ajo merret me portalet dhe mediat e kundërshtarit. Për t’i censuruar ato.
Kjo valë censure fryu edhe në Europë. Kjo erë censure fryu në Europë. Mbyllën televizione. Vihen nën kontroll të plotë siç është këtu.
Po pse e thotë armiku më i rrezikshëm? Sepse dallimi midis forcës së njeriut të lirë dhe forcës së njeriut jo të lirë është dallim si nata me ditën.
Vendin e bëjnë të sigurt njerëzit e lirë. Amerika ka fuqinë më të pakrahasueshme në çdo aspekt. Por kur përfundon në dorën e njeriut që firmos dhe fal familjarët e tij sikur në pushtet ka ardhur Xhingis Khani, që nuk ndodh kurrë.

Sondazh

Poll