Politike

PD depozitoi sot në KQZ kërkesën për regjistrim në zgjedhjet e 11 majit, historia e vështirë e regjistrimit të Berishës si kryetar partie

Regjistrimi i PD-së me simbolet e veta dhe kryetar Sali Berishën vjen pas një sage ligjore tre vjeçare beteje për vulën dhe logon e partisë.

19 Shkurt 2025, 17:44 Nga r.ll
PD depozitoi sot në KQZ kërkesën për regjistrim në
sali berisha

TIRANË- Partia Demokratike ka depozituar ditën e sotme në Komisionin Qendron Zgjedhor kërkesën për tu regjistruar si subjekt zgjedhor në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.  Në zgjedhjet e 11 majit demokratët do të hyjnë me simbolet dhe emrin e kryetarit të tyre, Sali Berisha.

“Unë z.Sali Berisha në cilësinë e kryetarit të Partisë Demokratike të Shqipërisë si dhe në mbështetje të nenit 64 të Kodit Zgjedhor, paraqes kërkesën për t’u regjistruar si Subjekt Zgjedhor, në Zgjedhjet për Kuvend”, thuhet në dokumentin zyrtar drejtuar Komisionit Qendror Zgjedhor. KQZ pritet të shqyrtojë të gjitha aplikimet për regjistrim brenda afateve të përcaktuara ligjore.

 

PD depozitoi sot në KQZ kërkesën për regjistrim në
kerkesa zyrtare per regjistrim

Regjistrimi i PD-së me simbolet e veta dhe kryetar Sali Berishën vjen pas një sage ligjore tre vjeçare beteje për vulën dhe logon e partisë. 

Në qershor të vitit të kaluar gjyqtarët Alma Ahmeti, Elona Toro dhe Iliba Bezati, lanë në fuqi një vendim të gjyqtarit Agron Zhukri të shkallës së parë, ku kishte njohur vendimet e Kuvendit Kombëtar të PD-së të mbledhur nga Berisha me firmat e ¼ së anëtarëve, ku u shkarkua nga detyra e kryetarit të partisë Lulzim Basha dhe organet drejtuese. 

Me këtë vendim mori fund "lufta" ligjore e PD-së, e cila që prej vjeshtës 2021 ishte e përçarë në dy grupime kundërshtare. Kjo betejë ligjore për vulën dhe emrin e partisë bëri që Partia Demokratike të futej e përçarë dhe të përballej me humbje në zgjedhjet vendore të përmendura më poshtë. Konflikti mes dy grupimeve lindi në shtator të vitit 2021, kur ish-kryetari i PD-së Lulzim Basha vendosi përjashtimin e Berishës nga grupi parlamentar.

Në vitin 2022, KQZ refuzoi kërkesën e kryedemokratit Sali Berishës për tu regjistruar në koalicionin “Shtëpia e Lirisë”, me arsyetimin e se Komisioni i Rithemelimit nuk mund të jetë pjesë në koalicion, sa kohë që nuk është regjistruar si parti politike. Kështu koalicioni ‘Shtëpia e Lirisë’ sipas KQZ do të përbëhej nga vetëm dy parti politike LSI dhe PDK.

Në mars të vitit 2023 në KQZ mbërritën dy kërkesa të PD për regjistrim në zgjedhje, ku kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi i dha të drejtë për të kërkuar regjistrimin e partisë Lulzim Bashës, pasi asokohe ai figuronte si kryetar i PD-së nga pikëpamja ligjore. Si rezultat, KQZ refuzoi sërish kërkesën për t’u regjistruar si subjekt zgjedhor të partisë “Partia Demokratike e Shqipërisë”, të depozituar nga kryetari i partisë Sali Berisha.

sali berisha

Sondazh

Poll