Sport

Barcelona mashtron me çmimin e biletave VIP, për të rregulluar bilancet!

La Liga dyshon se kompania është krijuar nga vetë klubi dhe përdorur në mënyrë fiktive për të shmangur rregullat.

18 Shkurt 2025, 00:18 Nga DOSJA
Barcelona mashtron me çmimin e biletave VIP, për të rregulluar

SPANJE - La Liga dyshon për shkelje në procesin që i mundësoi Barcelonës të siguronte të ardhura për të bërë të mundur regjistrimin e ri të Dani Olmo-s dhe Pau Víctor në fillim të vitit. Bëhet fjalë për një marrëveshje që përfshinte shitjen e vendeve VIP në Camp Nou. La Liga ka paraqitur një ankesë në Këshillin e Lartë të Sporteve në Spanjë.

Gazeta ‘El Confidencial’ zbulon se burimi i mosmarrëveshjes është kompania e telekomunikacioneve New Era Visionary Group, e cila bleu disa nga këto vende për 28 milionë euro. Sidoqoftë, La Liga dyshon se kompania është krijuar nga vetë klubi dhe përdorur në mënyrë fiktive për të shmangur rregullat.

New Era Visionary Group, e themeluar në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe e udhëhequr nga moldavi Ruslan Birladeanu, hapi një zyrë në Spanjë në qershor të vitit 2024, me një kapital shoqëror prej vetëm 3.000 eurosh. Befas, disa muaj më vonë, kompania fitoi, pa konkurs publik, projektin për infrastrukturën e rrjetit të ‘Camp Nou’ të ri, megjithëse Orange është përgjegjëse për teknologjinë dhe implementimin e saj. Zyrtarisht, Barcelona është klienti i vetëm i New Era Visionary Group.

Katalanasit nuk zbuluan publikisht se cilave kompani iu shitën vendet VIP. Sidoqoftë, La Liga ka mundur të gjejë emrat e blerësve, përfshirë New Era Visionary Group.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll