Sport

CAS i Lozanës rrëzon KOKSH i jep të drejtë FSHF: “Nuk mund të mbahet peng sporti nga një drejtësi që refuzon ligjin ndërkombëtar!”

CAS vendosi në vend të drejtat e FSHF-së për të marrë pjesë dhe për t’u njoftuar rregullisht për asambletë e KOKSH-it, duke siguruar përfaqësim dhe vendimmarrje të drejtë.

17 Shkurt 2025, 22:15 Nga DOSJA
CAS i Lozanës rrëzon KOKSH i jep të drejtë FSHF: “Nuk

TIRANE - Gjykata e Arbitrazhit për Sport (CAS) vendosi më datë 17 qershor 2024 në favor të Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), duke përmbysur vendimet e marra gjatë Asamblesë së Jashtëzakonshme të Komitetit Olimpik Kombëtar të Shqipërisë (KOKSH) të mbajtur më 10 janar 2021.

CAS shpalli të pavlefshme vendimet e marra në Asamblenë e Jashtëzakonshme të KOKSH-it, e cila kishte miratuar statutin e ri. Kjo përfshin ndryshimet në statutin e KOKSH-it, shkarkimin e Presidentit dhe zgjedhjen e anëtarëve të rinj të komisionit të verifikimit.

CAS konstatoi se KOKSH-i nuk njoftoi siç duhet FSHF-në për asamblenë dhe lejoi pjesëmarrjen dhe votimin e personave që nuk ishin anëtarë. Këto veprime shkelën procedurat e përcaktuara dhe të drejtat e FSHF-së si federatë anëtare. Duke përmbysur vendimet e asamblesë, CAS vendosi në vend të drejtat e FSHF-së për të marrë pjesë dhe për t’u njoftuar rregullisht për asambletë e KOKSH-it, duke siguruar përfaqësim dhe vendimmarrje të drejtë. Në mënyrë krejtësisht të pakuptimtë dhe jashtë çdo logjike juridike, KOKSH, i cili vetë kërkoi që çështja të gjykohej jashtë Shqipërisë, sot nuk e njeh më vendimin e CAS-it.

KOKSH-i refuzon hapur t’u bindet rregullave ndërkombëtare, duke krijuar një precedent të rrezikshëm dhe duke shkelur Konventën e Nju Jorkut mbi njohjen dhe zbatimin e vendimeve arbitrare. Kjo nuk është thjesht një mosmarrëveshje sportive. Kjo është një formë e pastër dhune institucionale, një sulm i drejtpërdrejtë ndaj ligjit ndërkombëtar dhe parimeve të drejtësisë! Ky qëndrim na kthen pas në kohën e errët të komunizmit, kur Shqipëria ishte një ishull i izoluar që nuk njihte asnjë vendim ndërkombëtar. Atëherë, shteti nuk i zbatonte ligjet e botës – dhe sot, për fatin tonë të keq historia po përsëritet.

Federata Shqiptare e Futbollit nuk do të heshtë dhe do të ndërmarrë të gjithë hapat ligjorë për të vendosur drejtësinë në vend. U bëjmë thirrje të gjitha autoriteteve ndërkombëtare, FIFA-s, UEFA-s dhe Gjykatave Evropiane të Drejtësisë që të reagojnë menjëherë dhe të mbrojnë rendin sportiv nga shkatërrimi i qëllimshëm që po ndodh në Shqipëri. Sporti shqiptar nuk mund të mbahet peng i një drejtësie të kapur dhe i një shteti që refuzon ligjin ndërkombëtar. Shqiptarët meritojnë të jenë pjesë e botës, jo të izolohen prej saj.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll