Aktualitet

FOTO/ Instituti Konfuci feston Vitin e Ri Kinez 2025 në Universitetin e Tiranës

Në hapjen e aktiviteteve, pedagogët shqiptarë të Institutit Konfuci prezantuan Festivalin e Pranverës dhe traditat që lidhen me këtë festë simbolike, duke ndarë me të pranishmit domethënien dhe simbolikën e Vitit të Ri Kinez

12 Shkurt 2025, 11:36 Nga DOSJA
FOTO/ Instituti Konfuci feston Vitin e Ri Kinez 2025 në Universitetin e
Instituti Konfuci

TIRANË- Me një atmosferë festive dhe të mbushur me ngjyra e tradita, Instituti Konfuci në Universitetin e Tiranës çeli më 22 janar 2025 festimet për Vitin e Ri Kinez, një ndër momentet më të rëndësishme të kalendarit kulturor kinez. Kjo ngjarje e veçantë mblodhi së bashku studentë, pedagogë dhe të gjithë të apasionuarit pas kulturës kineze, duke ofruar një përvojë të paharrueshme.

Në hapjen e aktiviteteve, pedagogët shqiptarë të Institutit Konfuci prezantuan Festivalin e Pranverës dhe traditat që lidhen me këtë festë simbolike, duke ndarë me të pranishmit domethënien dhe simbolikën e Vitit të Ri Kinez. Me pasion dhe përkushtim, pedagogët dhe studentët kinezë që studiojnë në Shqipëri sollën atmosferën e ngrohtë të festës përmes aktiviteteve kulturore të larmishme. Pjesëmarrësit patën mundësinë të mësojnë mbi zakonet dhe ritualet tradicionale, të provojnë veshje tradicionale kineze dhe të marrin pjesë në aktivitete argëtuese si kaligrafia dhe krijimi i dekorimeve festive.

Një tjetër moment i këndshëm ishte më 23 janar, kur studentët, së bashku me pedagogët shqiptarë dhe kinezë, mësuan dhe shijuan artin e gatimit të raviolëve kinezë (dumpling), një nga ushqimet më të rëndësishme të kësaj feste, i cili simbolizon mbarësi dhe unitet. Përmes kësaj eksperience, studentët jo vetëm që zbuluan teknikat e përgatitjes së tyre, por edhe kuptuan rëndësinë që kjo traditë ka për familjet kineze.

Kulmi i festimeve erdhi më 28 janar, me organizimin e një mbrëmjeje të veçantë me rastin e natës së ndërrimit të viteve sipas kalendarit kinez. Në një ambient festiv, studentët dhe të ftuarit ndoqën në kohë reale spektaklin madhështor të CGTN, i cili u transmetua edhe në televizionin kombëtar në Kinë. Programi përfshinte performanca mahnitëse të këngëve, kërcimeve dhe artit skenik, duke sjellë një atmosferë magjike dhe të paharrueshme për të gjithë të pranishmit. Studentët ndoqën në kohë reale këtë aktivitet paten mundësi të diskutojnë me pedagogët dhe njëri-tjetrin mbi kulturën kineze dhe performancat e shfaqura gjatë kësaj mbrëmje festive.

Instituti Konfuci në Universitetin e Tiranës vijon të jetë një urë e rëndësishme kulturore mes Shqipërisë dhe Kinës, duke promovuar njohjen dhe shkëmbimin mes dy kulturave përmes aktiviteteve të tilla të pasura dhe frymëzuese. Festimet e Vitit të Ri Kinez 2025 ishin një dëshmi e angazhimit për të sjellë më pranë komunitetin shqiptar me traditat dhe kulturën e pasur kineze, duke krijuar momente të bukura për të gjithë pjesëmarrësit.

instituti konfuci universiteti i tiranes viti i ri kinez

Sondazh

Poll