Politike

REL: Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, arrestohet nën dyshimin për korrupsion

Në një njoftim për media, SPAK tha se Veliaj dyshohet për për "korrupsion pasiv" në 9 raste.

10 Shkurt 2025, 17:01 Nga M.B
REL: Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, arrestohet
Erion Veliaj

TIRANA- Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, është arrestuar të hënën në dyshimin për korrupsion dhe shpëlarje parash, njoftoi Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit (SPAK). Në një njoftim për media, SPAK tha se Veliaj dyshohet për për "korrupsion pasiv" në 9 raste. Ndërkohë, gjykata ka urdhëruar që bashkëshortja e Veliajt, Ajola Xoxa, të mbahet në arrest shtëpiak si e dyshuar për "korrupsion pasiv" në 9 raste, për shpëlarje parash dhe për mosdeklarim të të ardhurash.

Gjykata e Posaçme ka urdhëruar që Veliaj të dërgohet në paraburgim. SPKA tha se hetimet kanë gjetur se Veliaj dhe bashkëshortja e tij kanë “ideuar, krijuar dhe vënë në funksionim një mekanizëm që ka synuar dhe ka bërë të mundur, në praktikë, marrjen e përfitimeve të parregullta, të cilat burojnë nga fondet publike që administrohen nga Bashkia Tiranë, përmes titullarit të saj, me qëllim pasurimin personal të këtij të fundit dhe familjes së tij, përmes veprimeve të kamufluara dhe të kundërligjshme”. Prokuroria e akuzon Veliajn se ka shpërndarë paranë publike dhe ka dhënë leje ndërtimi tek disa subjekte tregtare, të lidhur ngushtë me të.

“Këto fonde publike më pas kanë përfunduar tek disa organizata jofitimprurëse, shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, persona fizikë të kontrolluar de jure dhe de facto nga bashkëshortja e tij, shtetasja A. X., si edhe individë të afërt me këtë të fundit, duke krijuar një rrjet të dyshimtë e të komplikuar transaksionesh”, tha SPAK.

Po ashtu, SPAK njoftoi se për pesë persona të tjerë është dhënë masa "detyrim për t'u paraqitur në policinë gjyqësore". Në fund të dhjetorit, Veliaj ishte thirrur në Posaçme kundër Korrupsionit. Ai u tha gazetarëve asokohe se ishte denoncua në mënyrë anonime nga një person i quajtur Nesti Angoni.

"Ky person nuk ekziston, e dimë çfarë emri dhe kulture linçuese përfaqëson ky stil. Është një kurth i sajuar. Jam sulmuar nga Nesti Angoni për të na kthyer pas te praktika e letrave anonim", tha Veliaj asokohe.

Ai pati theksuar më 26 dhjetor pasi u thirr në SPAK se "do të ishte shqetësuese nëse nuk do të paraqitej para Prokurorisë së Posaçme se nuk bënte pjesë te ata politikanë që e sulmojnë SPAK-un kur i heton”. I pyetur për këtë çështje, kryeministri Edi Rama pati deklaruar gjatë konferencës së fundvitit me gazetarët se ndaj Veliajt po bëhej gjyq publik, dhe se ai do të mbante qëndrim në kohën e duhur.

Reagimi i parë pas shoqërimit të Veliajt të hënën erdhi nga Lulzim Basha, i cili më herët ka drejtuar bashkinë e Tiranës dhe Partinë Demokratike. Ai tha se “Veliaj me mbështetjen e kryeministrit Edi Rama e ktheu Bashkinë e Tiranës në vatër korrupsioni”.

"Përshëndes vendosmërinë e SPAK për t’i shkuar deri në fund aferave korruptive dhe inkurajoj institucionet e drejtësisë të veprojnë pa asnjë hezitim kundër korrupsionit në nivelet e larta, që shkatërron mirëqenien e familjeve shqiptare", tha Basha./ REL

erion veliaj

Sondazh

Poll