Aktualitet

ID-të dhe pasaportat e shqiptarëve jashtë vendit skadojnë deri në 11 maj/ Zbardhet vendimi i qeverisë, ja deri kur do të zgjatet afati i vlefshmërisë

Në vendimin e qeverisë thuhet se kjo zgjatje e afatit të vlefshmërisë së pasaportave ka efekt vetëm për ushtrimin e së drejtës të votës për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

5 Shkurt 2025, 16:42 Nga r.ll
ID-të dhe pasaportat e shqiptarëve jashtë vendit skadojnë
kryeministria

TIRANË- Këshilli i Ministrave ka vendosur që afati i vlefshmërisë së pasaportave dhe letërnjoftimeve elektronike të shqiptarëve jashtë vendit, që skadojnë deri më 11 maj, do të do të zgjatet deri më 31 maj.  Në vendimin e qeverisë thuhet se kjo zgjatje e afatit të vlefshmërisë së pasaportave ka efekt vetëm për ushtrimin e së drejtës të votës për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

Më herët gjatë ditës së sotme, ministri i Brendshëm Ervin Hoxha, tha se kjo masë do t’ju japë zgjidhje ngërçit të krijuar pasi janë rreth 500 mijë shtetas shqiptarë që u ka përfunduar vlefshmëria e kartave të identitetit. Ai shtoi se me miratimin e këtij akti të gjithë shtetasit shqiptarë do të votojnë sipas udhëzimeve të KQZ duke u regjistruar në platformën elektronike të regjistrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

VENDIMI I PLOTË I KËSHILLIT TË MINISTRAVE: 

AKT NORMATIV
PËR

NJË SHTESË NË LIGJIN NR.8668, DATË 23.10.2000, “PËR PAJISJEN E SHTETASVE SHQIPTARË ME PASAPORTË  PËR JASHTË SHTETIT”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 101 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:

Neni 1

Pas nenit 14/3, të ligjit nr.8668, datë 23.10.2000, “Për pajisjen e shtetasve shqiptarë me pasaportë për jashtë shtetit”, të ndryshuar, shtohet neni 14/4, me këtë përmbajtje:

“Neni 14/4
Dispozitë kalimtare

Afati i vlefshmërisë së pasaportave të shtetasve shqiptarë, që përfundon deri në datën 11 maj 2025, zgjatet deri në datën 31 maj 2025 për shtetasit me vendbanim jashtë vendit, votues në zgjedhjet për Kuvendin, të shpallura me dekretin nr.399, datë 5.12.2024, të Presidentit të Republikës.

Kjo zgjatje e afatit të vlefshmërisë së pasaportave ka efekt vetëm për ushtrimin e së drejtës për të zgjedhur në datën 11 maj 2025.”.

Neni 2
Hyrja në fuqi

Ky akt normativ hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

KRYEMINISTRI
EDI RAMA 

*** 

AKT NORMATIV
PËR 

NJË SHTESË NË LIGJIN NR.8952, DATË 10.10.2002, “PËR LETËRNJOFTIMIN ELEKTRONIK TË SHTETASVE SHQIPTARË”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 101 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:

Neni 1

Pas nenit 9/4, të ligjit nr.8952, datë 10.10.2002, “Për letërnjoftimin elektronik të shtetasve shqiptarë”, të ndryshuar, shtohet neni 9/5, me këtë përmbajtje:

 “Neni 9/5
Dispozitë kalimtare

Afati i vlefshmërisë së letërnjoftimit elektronik, që përfundon deri në datën 11 maj 2025, zgjatet deri në datën 31 maj 2025 për shtetasit me vendbanim jashtë vendit, votues në zgjedhjet për Kuvendin, të shpallura me dekretin nr.399, datë 5.12.2024, të Presidentit Republikës.

Kjo zgjatje e afatit të vlefshmërisë së letërnjoftimit elektronik ka efekt vetëm për ushtrimin e së drejtës për të zgjedhur në datën 11 maj 2025.”.

Neni 2
Hyrja në fuqi

Ky akt normativ hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

Zgjedhjet parlamentare do të mbahen me 11 majt të këtij viti, ndërsa risi e këtyre zgjedhjeve është vota e diasporës. Emigrantët do të kenë mundësinë të ushtrojnë të drejtën e votimit pa qenë e nevojshme të jenë fizikisht në Shqipëri.  Më 11 janar ka nisur dhe procesi i regjistrimit të tyre përmes Platformës Elektronike të Regjistrimit (PER), proces i cili zgjat deri në mars.

Platforma Elektronike e Regjistrimit është e aksesueshme pa pagesë për zgjedhësin. Zgjedhësit do t’i jepet mundësia ta shkarkojë këtë platformë si në versionin desktop, ashtu edhe në atë mobile pa qenë i kushtëzuar nga lloji i pajisjes elektronike që do të përdorë.

Një staf i KQZ-së, punon me 3 turne për t’u përgjigjur kërkesave, duke i informuar shqiptarët për kalimin me sukses, apo refuzimin e aplikimit të tyre. Në rast refuzimi, zgjedhësi do të informohet se çfarë ka bërë gabim, dhe do t’i jepet mundësia të aplikojë përsëri. Procesi i regjistrimit quhet i suksesshëm kur zgjedhësi paraqet të dhëna të plota dhe kërkesa miratohet. Aplikimet mbyllen në datën 12 mars 2025.

zgjedhjet e 11 majit

Sondazh

Poll