Politike

Debati për drejtorin e RTSH/ Ilir Keko: Për mua procesi është i ligjshëm. Leka Bungo: Kjo është shkelje e ligjit

Gjatë seancës dëgjimore anëtarët e këshillit janë përplasur me njëri-tjetrin në sy të deputetëve duke akuzuar për shkelje apo klientelizëm njëri-tjetrin.

3 Shkurt 2025, 12:57 Nga I.A
Debati për drejtorin e RTSH/ Ilir Keko: Për mua procesi
Komisioni i Medias

TIRANË- Një debat mes Leka Bungos dhe Ilir Kekos është zhvilluar ditën e sotme në mbledhjen e Komisionit të Medias. Gjatë seancës dëgjimore anëtarët e këshillit janë përplasur me njëri-tjetrin në sy të deputetëve duke akuzuar për shkelje apo klientelizëm njëri-tjetrin.

Bungo në fjalën e tij ka deklaruar se në institucion mungon transparenca. Ndërkohë që Keko ka deklaruar në Komisionin e Medias, se Bungo nuk donte të votohej hapja e garës për drejtorin e ri të RTSH-së. Sipas tij. Bungo vepronte sipas dëshirës së tij dhe për këtë arsye kanë ndodhur dhe sherret në mbledhje.

Pjesë nga debati:

Keko: Në parim për procesin, unë e di që jam në rregull. Nuk mund të pranoj që procesi, që kur ka filluar, është në kundërshtim me ligjin. Dhe as nuk diskutohet fare.

Bungo: Po ligjin ti e njeh, që duhet të ketë minimalisht 5 vjet në media. Është e ligjshme vota jote për Aurora Polon.

Keko: Lexojeni ligjin siç është i saktë dhe mos e interpretoni ligjin si doni ju. Po të jetë për procesin, ne kemi kërkuar që në muajin shtator, që kur iku Alfred Peza, për hapjen e procesit. Kryetari nuk ka pranuar për hapjen e procesit. ‘Atë e di unë’- ka thënë. Duke vënë vetë. Në dhjetor, pas presionit tuaj (komisionit të medias) u kërkua të hapej. Dhe e dini ju sesi është kërkuar të hapet? Duke filluar mbledhjen kryetari në datën 2 dhjetor dhe duke thënë; deklaroj të hapur garën për drejtorin e përgjithshëm. Pa votim, sepse nuk e donte votimin. Për këtë është bërë sherri në atë mbledhje dhe u votua, sepse nuk ka sesi të dilet me një vendim pa u votuar. Në mbledhjen tjetër u bë po e njëjta situatë dhe po të njëjtën gjë kërkonte kryetari që në fillim. Kryetari është për të hapur dhe mbyllur mbledhjet, nuk është për të mbajtur një orientim të mbledhjes. Ne nuk jemi firmëtarë nga mbrapa. Në dhjetor kemi mbajtur një qëndrim duke thënë se nuk ka kohë fizike për ta zgjidhur drejtorin e përgjithshëm sepse përpara kemi festivalin, programin e vitit të ri. Dhe që të zgjidhet drejtori duhet 4 ose 5 seanca mbledhjesh. Për mua procesi është i ligjshëm në gjykimin tim. Por jam i bindur se për kryetarin procesi do të vazhdojë të jetë i paligjshëm përsa kohë nuk rezulton ashtu si do ai.

Bungo: Si nuk ka paligjshmëri? Aurora Polo nuk ka asnjë lidhje me kriteret, fare, fare. Pavarësisht se edhe shpallja e garës që e zgjati kryetarin, për mua janë humor.

ilir keko leka bungo

Sondazh

Poll