Politike

"Familjet shqiptare po varfërohen dita-ditës"/ Teliti nga protesta: Dy thirrje për emigrantët shqiptarë që do të votojnë më 11 Maj!

Teliti deklaroi se sipas tij familjet shqipëtare po varfërohen dita-ditës, dhe shqiptarët po largohen nga vendi pikërisht për shkak të regjimit aktual. Më tej ai u bëri thirrje emigrantëve që në 11 maj të mos votojnë si turistë por të votojnë sikur të jeotjnë çdo ditë Shqipërinë sipas tij e futur në një gropë të thellë korrupsioni.

24 Janar 2025, 12:02 Nga B.Z
"Familjet shqiptare po varfërohen dita-ditës"/ Teliti nga
Dorian Teliti

TIRANË - Nënkryetari i Këshillit Bashkiak Tiranë, Dorian Teliti ka mbajtur fjalën gjatë protestës që po zhvillohet mesditën e sotme para Bashkisë së Tiranës. Teliti u shpreh se kjo protestë sipas tij është iniciatore për çlirimin e Shqipërisë nga kthetrat e korrupsionit.

Teliti deklaroi se sipas tij familjet shqipëtare po varfërohen dita-ditës, dhe shqiptarët po largohen nga vendi për shkak të regjimit aktual. Më tej ai u bëri thirrje emigrantëve që në 11 maj të mos votojnë si turistë por të votojnë sikur të jetojnë çdo ditë në Shqipërinë që sipas tij është e futur në një gropë të thellë korrupsioni.

Pjesë nga fjala e Telitit:

Një falënderim për qëndresën tonë të 48-të, një falënderim edhe për artistët e aleancës së teatrit për rezistencën tonë. Një rezistencë nuk bëhet për veten tonë si individë, por bëhet për Tiranën dhe Shqipërinë. Për t’i çliruar nga kthetrat e korrupsionit dhe klientelizmit, nga karriget e uzurpuara. Nga ata që erdhën me votë, por ama karriget po i mbajnë me kriminelat, me milionat e hedhura në zgjedhje. Po i mbajnë në një situatë Shqipërinë, në një situatë tragji-komike. Tragjedinë e jetojnë shqiptarët, sepse Shqipëria është shpopulluar. Mbi 1 milion shqiptarë u larguan. Tragjedinë e jetojnë familjet shqiptare, sesi janë varfëruar e varfërohen dita-ditës. E jeton rinia, e jetojnë studentët. E jetojnë gratë kryefamiljare që nuk ja dalin dot. E jetojnë të sëmurët këtë tragjedi, që nuk gjejnë ilaçe. E jeton biznesi, që vuan e mbyll qepenat sepse nuk ia del dot nga taksat më të larta në rajon.

Komikja është qeveria. E cila del dhe na krenohen për gjoja rritje pensionesh, inekzistente. Apo krenohen sesi Tirana dhe Shqipëria janë betonizuar apo krenohen sesi na vijnë turistë por nuk flenë në Shqipëri. Apo krenohen sesi kanë arritur të ndotin ajrin e Tiranës, të paktën 18 herë më shumë se norma e OBSH. Apo arrijnë të krenohen me paturpësinë më të madhe sesi i zhdukin miliona euro çdo ditë, dhe i thonë shqiptarëve shihni sa të zotë jemi ne dhe sa të pazotë jeni ju.

Këta zonja dhe zotërinj duhet të largohen. Momenti dhe dita po vjen dhe ajo është data 11 maj. Unë jam i bindur që shqiptarët do të votojnë kundër kësaj qeverisje. Kam dy thirrje për familjarët tanë që jetojnë në emigracion.

Regjistrohuni për të fituar të drejtën e votës dhe për të bërë ndryshimin e madh. Kur t’ju vijë fleta e votimit mendoni pak se kush ishte arsyeja që ju bëri të largoheni nga vendi dhe ndëshkojeni atë.

Mendoni pak për nënën dhe babain që keni lënë në Shqipëri dhe ju i çoni 100 apo 220 euro për të blerë ilaçet në fund të muajit. Mos votoni si turistë, por votoni sikur të jetoni çdo ditë këtu me ajrin e ndotur, me taksat e larta, pa ilaçe. Shqipërinë e ka futur në gropë të thellë korrupsioni".

dorian teliti proteste

Sondazh

Poll