Politike

TikTok nuk është mbyllur akoma/ Rama diskuton me përfaqësuesen e platformës "rihapjen" e rrjetit social: Do e rikthejmë aksesin në një kohë të arsyeshme

Rama vë theksin te rihapja duke shtuar se duhen të gjitha garancitë e nevojshme, në mungesë të të cilave, sipas tij janë të detyruar ta mbyllim së shpejti aksesin në platformë.

21 Janar 2025, 14:29 Nga M.B
TikTok nuk është mbyllur akoma/ Rama diskuton me
Foto nga takimi

DAVOS- Kryeministri Edi Rama ndodhet në Davos në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror. Gjatë qëndrimit të tij atje, Rama ka zhvilluar takim me kreun e Marrëdhënieve me Qeveritë & Politikën Publike të TikTokut për Europën, Christine Grahn.

Përmes një postimi në Facebook, ku ka ndarë edhe foto nga takimi, ai shkrun se me Grahn diskutuan rihapjen e TikTok në Shqipëri në një kohë sa më të arsyeshme. Ndërkohë që diskutimet e kreut të qeverisë për rihapjen e platformës, bëhen në një kohë që mbyllja nuk është bërë akoma.

Rama vë theksin te rihapja duke shtuar se duhen të gjitha garancitë e nevojshme, në mungesë të të cilave, sipas tij janë të detyruar ta mbyllim së shpejti aksesin në platformë.

Postimi:

Davos, Forumi Ekonomik Botëror - Me Christine Grahn, kreun e Marrëdhënieve me Qeveritë&Politikën Publike të TikTokut për Europën, shtruam shqetësimet që na çuan në vendimin e mbylljes së përkohshme të aksesit në platformë nga Shqipëria, si edhe dëgjuam rrugët e mundshme të adresimit të tyre nga ana e kompanisë. Një diskutim plotësisht i hapur dhe me frymë konstruktive, ku vendosëm disa piketa bashkëpunimi në javët e muajt në vijim, për të siguruar rihapjen e TikTokut në një kohë sa më të arsyeshme, por sigurisht me të gjitha garancitë e nevojshme, në mungesë të të cilave jemi të detyruar ta mbyllim së shpejti aksesin në platformë

Vendimi për mbylljen e platformës së Tik Tok në Shqipëri, u lajmërua nga kryeministri Edi Rama disa ditë pas vrasjes së 14-vjeçarit Martin Cani nga bashkëmoshatari i tij. Sipas kryeministrit mbyllja e Tik Tok isht një përgjigje e arsyeshme ndaj shqetësimeve të prindërve dhe komunitetit edukativ për ndikimin negativ të kësaj platforme mbi fëmijët dhe adoleshentët.

Rama ka theksuar vazhdimisht në deklaratat e tij mbi çështjen se Shqipëria, si një vend demokratik, ka marrë këtë vendim duke u bazuar në kërkesat e shumicës së prindërve, të cilët shprehin shqetësimin për sigurinë dhe shëndetin e fëmijëve të tyre në këtë platformë. Vendimi i Ramës është kundërshtuar nga opozita dhe partitë e reja, pasi sipas tyre kryeministri po e bën për arsye elektorale. 

edi rama christine grahn tik tok

Sondazh

Poll