Politike

Giro d’Italia në Shqipëri/ Rama: Përzgjedhja e vendit tonë, pasqyrim i rritjes së popullaritetit ndërkombëtar, do të zhvillohen tre etapat e para, ja qytetet

Rama shtoi se nisja e Giro D’Italia në Shqipëri është tjetër shtysë e veçantë për rritjen e mëtejshme të industrisë së turizmit.

13 Janar 2025, 15:54 Nga M.B
Giro d’Italia në Shqipëri/ Rama: Përzgjedhja e vendit
Edi Rama

TIRANA- Kryeministri Edi Rama tha sot me anë të rrjeteve sociale se përzgjedhja e Shqipërisë për të mbajtur eventin e Giro d’Italia, tregon rritjen e popullaritetit ndërkombëtar. Rama tha se këtë vit Shqipëria është zgjedhur si vendi i nisjes së madhe ku do të zhvillohen tre etapat e para dhe për tre ditë rresht. Ai tha se këto etapa do të zhvillohen në Durrës, Krujë, Tiranë dhe në zonat e Vlorës. Rama shtoi se nisja e Giro D’Italia në Shqipëri është tjetër shtysë e veçantë për rritjen e mëtejshme të industrisë së turizmit.

“Për pak nisemi për Romë për prezantimin Giro D’Italia, një ndër ngjarjet më të mëdha të sportit që transmetohet nga 200 TV të botës. Këtë vit Shqipëria është zgjedhur si vendi i nisjes së madhe ku do të zhvillohen tre etapat e para dhe për tre ditë rresht bukuritë e vendit tonë, Durrësi e Kruja me historinë dhe peisazhet e tyre të mrekullueshme, Tirana me zhvillimin e saj mbresëlënës, Vlora me luginën e lumit të saj, majën e Llogarasë, ujërat e Jonit dhe Adriatikut do të ekspozohen në sytë e 800 milionë teleshikuesve. Pa llogaritur dhjetëra mijëra tifozë të çiklizmit që do të vijnë në Shqipëri për të ndjekur nga afër idhujt e tyre.

Kjo ngjarje e madhe sportive ku kandidatura e Shqipërisë u përzgjodh për edicionin e Giros së këtij viti është tjetër pasqyrë kuptimplotë e rritjes së popullaritetit ndërkombëtar të vendit tonë ku deri para disa vitesh të tilla ngjarje as mund t’i imagjinoje. Nisja e Giro D’Italia në Shqipëri është tjetër shtysë e veçantë për rritjen e mëtejshme të industrisë tonë të turizmit që është industri e re por sapo e mbylli vitin e shkuar me thuajse 12 milionë turistë. Shqipëria po bëhet dita ditës dhe ngjitja e saj drejt majës së 2030 në BE vazhdon përditë. E pandërprerë dhe e pandalshme", u shpreh Rama.

edi rama

Sondazh

Poll