Sport

Bekim Balaj mund Tiranën, Vllaznia fiton klasiken e futbollit shqiptar!

Nga ana tjetër, bardheblutë e shohin veten në një pozitë shumë të vështirë, në zonën e ftohtë të renditjes (vendi i parafundit), pasi janë parakaluar nga Bylisi.

10 Janar 2025, 20:29 Nga DOSJA
Bekim Balaj mund Tiranën, Vllaznia fiton klasiken e futbollit shqiptar!

SHKODER - Derbi i Shqipërisë, Vllaznia-Tirana, konfirmoi edhe një herë se është një përballje e paparashikueshme, e cila mund të prodhojë gjithçka. Sidomos këtë sezon, në këtë takim klasik janë shënuar gola me shumicë.

Në kuadër të javë së 20-të të Kategorisë Superiore, Vllaznia mpshti 2-1 Tiranën me përmbysje në “Loro Boriçi”, duke barazuar në krye në kuotën e 34 pikëve Dinamon, që dështoi të merrte pikë sot në Ballash. Nga ana tjetër, bardheblutë e shohin veten në një pozitë shumë të vështirë, në zonën e ftohtë të renditjes (vendi i parafundit), pasi janë parakaluar nga Bylisi.

Edhe pse kaluan në epërsi që në minutën e 14-të me një gol të jashtëzakonshëm të Rimal Haxhiut, kryeqytetasit nuk ia dolën ta administronin avantazhin e shpejtë. Guximi i trajnerit Brdaric, për të shtuar forcat sulmuese duke hequr një qendërmbrojtës në pjesën e dytë, dha rezultat. Bekim Balaj, ‘bomber’ i shkodranëve, barazoi shifra në të 52-tën, në zhvillimet e një goditjeje standarde, pasi iu shmang mbulimit të mbrojtjes bardheblu.

I njëjti autor ngriti peshë të pranishmit në stadiumin me golin e fitoren pesë minuta para përfundimit të kohës së rregullt, me rezultatin 2-1 q mbeti në fuqi edhe pas vërshëllimës së trefishte të kryesorit për përfundimin e takimit. Vllaznia e ka mposhtur dy herë Tiranën në klasike në këtë sezonin, 4-3 në Lushnjë dhe 2-1 në Shkodër, ndërsa një takim tjetër është mbyllur në barazim 2-2.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll