Politike

Ulja e çmimit të energjisë vetëm për një vit? Balluku: Nuk ishte vendim për fushatë elektorale, përfitojnë 95% e qytetarëve

Aludimeve se kjo ulje do të jetë për një vit, ajo u shpreh se nuk është e vërtetë, por është procedurë e ERE çdo fundviti për të publikuar çmimin e energjisë për vitin pasues.

9 Janar 2025, 21:28 Nga r.ll
Ulja e çmimit të energjisë vetëm për një vit?
belinda balluku

TIRANË- Qeveria vendosi uljen e çmimit të energjisë elektrike, pasi Enti Rregullator i Energjisë i dha ditën e djeshme dritën jeshile uljes së çmimit të energjisë me 1 lekë për kilovat. 

Lidhur me këtë vendim ka folur edhe zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku. E ftuar në "Top Story" në Top Channel, ajo u shpreh se për një dekadë çmimi nuk ka ndryshuar.

“Për të bërë ndryshime në sektorin energjetik, duhet më shumë se një mandat. Çmimi i energjisë ka pasur pikun e rritjes në 2012. Përmes sakrificash, çmimi ka qëndruar i pandryshuar për një dekadë”, tha ajo.

Për akuzat se ulja e çmimit ishte lëvizje fushate elektorale, Balluku u shpreh se fushatë ka pasur edhe më herët, por nuk është bërë.

“Argumente i pozitës! Sot flasim për 1 milion e 70 mijë abonentë dhe në thelb nuk ka asnjë gjë për fushatë. Fushatë ka pasur edhe në 2017, edhe në 2021. Opozita na sulmon dhe etiketon sipas modelit të saj. PS dhe qeveria Rama nuk ka përdorur kurrë energjinë për arsye elektorale”, u shpreh ajo.

Aludimeve se kjo ulje do të jetë për një vit, ajo u shpreh se nuk është e vërtetë, por është procedurë e ERE çdo fundviti për të publikuar çmimin e energjisë për vitin pasues.

“Nuk është një vjeçare. ERE çdo fundviti ka detyrim të publikojë çmimin e vitit pasardhës, dhe këtë e ka bërë në dhjetë vitet e fundit. Nuk është për një vit. Është procedurë, e ka bërë këtë në çdo fundvit dhe ka miratuar 9.5 lekë  për dhjetë vite”, tha ajo.

belinda balluku

Sondazh

Poll