Sport

ZYRTARE/ Graham Potter, trajner i ri i West Hamit deri në vitin 2027! Fjalët e para...

Trajneri, i cili zëvendëson Lopeteguin, do të debutojë kundër Aston Villas në FA Cup

9 Janar 2025, 11:48 Nga DOSJA

ZYRTARE/ Graham Potter, trajner i ri i West Hamit deri në vitin 2027!

ANGLI - West Ham ka shpallur Graham Potter si trajnerin e tyre të ri pas shkarkimit të Julen Lopeteguit këtë të mërkurë. 

Ish-trajneri i Chelseat ka nënshkruan një kontratë 2.5-vjeçare me West Ham, që do të thotë se ai do të jetë i lidhur me klubin e tij të ri deri në fund të sezonit 2026-27.

Siç ka bërë të ditur West Ham në rrjetet e tij sociale dhe kanalet zyrtare, Graham Potter do të debutojë në pozicionin e tij të ri në duelin që do të luajë kundër Aston Villa këtë të premte në FA Cup.

Trajneri i ri mbërrin në West Ham së bashku me Bruno (asistent trajner), Billy Reid  (zv.trajner) dhe Narcís Pèlach (zv.trajner). Trajneri i portierëve, Xavi Valero, do të vazhdojë në postin e tij.

Fjalët e para të Potter te West Ham…

Graham Potter bëri deklaratat e tij të para, pasi u zyrtarizua: "Jam i kënaqur që jam këtu. Ishte e rëndësishme për mua të prisja derisa të vinte një punë që e ndjeja se ishte e duhura për mua dhe, në të njëjtën kohë, ishte e duhura për klubin që unë do t’i bashkohem, kjo është ndjenja që kam me West Ham United”.

Trajneri i ri i West Ham tha arsyet pse ai vendosi t'i bashkohet klubit: “Bisedat e mia me presidentin dhe Bordin Drejtues kanë qenë shumë pozitive dhe konstruktive, ne ndajmë të njëjtat vlera të punës së palodhur dhe të energjisë së lartë për të krijuar themelet solide që mund të prodhojnë sukses. Ne jemi në të njëjtën faqe për sa i përket asaj që nevojitet në afat të shkurtër dhe më pas se si duam ta çojmë klubin përpara në afat të mesëm dhe afatgjatë”.

Gjithashtu, në deklaratat e tij të para në pozicionin e ri, ai vlerësoi klubin: “West Ham United është një klub i madh, në zemër të Londrës, me një bazë të madhe tifozësh dhe mbështetje të madhe në mbarë botën. Kam parë skenat që pasuan fitoren e tyre në Ligën e Konferencës në vitin 2023 dhe ishte e qartë se ky është një klub që ka gjithçka që duhet për të pasur sukses, si brenda dhe jashtë fushës”.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll