Politike

Berisha akuza Gjiknurit: I përfshirë në aferën 70 mln € të parkut fotovoltaik në Vlorë. Ish-ministri: Shpifje të ‘Pl

3 Janar 2020, 09:29 Nga DOSJA
Berisha akuza Gjiknurit: I përfshirë në aferën 70 mln €

TIRANË- Parku Fotovoltaik në Akërni të Vlorës, ka përplasur sërish Damian Gjiknurin me Sali Berishën. Ka qenë ish-kryeministri, ai që ka hedhur akuza kundër deputetit të PS, që ka sjell dhe reagimin e këtij të fundit.

Në një postim në Facebook, teksa ka shpërndarë një shkrim Berisha shkruan se familja e Gjiknurit është e përfshirë në një aferë korruptive prej 70 milionë Eurosh. Po ashtu Berisha shton se në aferë është përfshirë dhe një zyrtar i BE, që për të kanë firmosur një kontratë 3.2 miliardë Euro që iu grabitën shqiptarëve.

 “Hajdut Gjiknuri, guruja i korrupsionit te tenderit 70 milion euro dhe guruja i madam Gjiknurit! Reagim i fuqishem i autoriteteve te Frances ndaj hajduterise se qeverise shqiptare. Miq, nje hetim i guximshem i gazetarit investigativ zbulon lidhje klamoroze ne aferen korruptive prej 70 milion euro te parkut solar te Vlores te Hajdut Gjiknurit dhe te te njejtit zyrtar te BE, qe se bashku me Ramen dhe Gjiknurin firmosen me ÇEZ kontraten me te cilen ju grabiten shqiptareve 3.2 miliard euro”, shkruan Sali Berisha.

Ndërkohë në një reagim Damian Gjiknuri, ish-ministër i Energjetikës, ka mohuar akuzat e Berishës. Gjiknuri shkruan se akuzat nga Berisha e media i ka sqaruar prej kohësh, por sërish është i detyruar të shpjegojë edhe njëherë.

Në Facebook, Gjiknuri shkruan se akuzat ndaj tij janë sajesa, pasi me Parkun Fotovoltaik në Akërni është vepruar sipas procedurave dhe ligjeve. “Ndryshe nga ajo çka thonë shpifësit e paguar, qartësisht ai nuk është një tender me para publike por një investim privat që arrin vlerën e mbi 70 milion eurove. Përzgjedhja e kompanisë fituese është bërë me garë ndërkombëtare në bazë të kritereve ekonomike dhe eksperiencës në këtë sektor”, shkruan Gjiknuri.

Në fund Gjiknuri kujton edhe njëherë dosjen e privatizimit të OSHEE dhe shkruan se Berisha duhet të japë llogari së bashku me familjarë të tij.

REAGIM I PLOTW I GJIKNURIT

Keqardhje për “Plakun dixhital” që ka zgjedhur ta fillojë vitin 2020 me riciklim fletërrufesh haluçinante, të publikuara vitin e shkuar në një portal. Sajesa të sponsorizuara e të përsëritura, pjesë e axhendave të dyshimta, që në këtë rast kanë përdorur edhe “Plakun dixhital” për të amplifikuar një gënjeshtër që në thelb synon veçse të shantazhojë biznese dhe frenojë investimet e huaja në Shqipëri dhe nuk ka të bëjë fare me personin tim që ka mbi 12 muaj i shkëputur nga ajo detyrë dhe si rrjedhim dhe nga procedurat e mëtejshme të këtij projekti. Duke hedhur poshtë përmbajtjen e kësaj fletërrufeje, deklaroj me përgjegjësi të plotë se gjatë detyrës sime si Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, kam respektuar plotësisht ligjet dhe mbrojtur deri në fund interesat e shtetit dhe qytetarëve shqiptarë.

Kjo, shpesh herë edhe me koston e përballjes me shpifje ordinere dhe shantazhe portalesh të caktuara, të nxitura nga interesa politike apo ekonomike. Shpifje që bëjnë ciklin e xhiros së zakonshme të amplifikimit nga portalet tek “Plaku dixhital” dhe anasjelltas nga “Plaku dixhital” tek portalet. Është e pamundur të arrish në destinacion nëse rrugës humbet kohën duke qëlluar me gurë çdo qen që leh. Gjithësesi, për hir të transparencës ndaj opinionit publik, ankandi i Parkut Fotovoltaik të Akërnisë është ideuar, organizuar, zhvilluar dhe monitoruar në kushtet e një transparence maksimale ndaj çdo pale të interesuar, medias dhe opinionit publik. Zhvillimi me sukses i ankandit për mbështetjen e energjive të rinovueshme në Shqipëri u përshëndet jo vetëm nga Sekretariati i Komunitetit të Energjisë.

“Në vitin 2018, në kuadër të Komunitetit të Energjisë, Shqipëria përfundoi me sukses një ankand për mbështetjen e energjive të rinovueshme”, vlerëson Bashkimi Evropian (pjesë e të cilit është edhe Franca) në Raportin e Progresit të vitit 2019 për Shqipërinë, faqe 48. Ndërkohë, negocimi dhe lidhja e kontrates me investitorin privat u krye me ndihmën e ekspertëve të BERZH, si garant për respektimin e standardeve ndërkombëtare për këtë industri. Ndryshe nga ajo çka thonë shpifësit e paguar, qartësisht ai nuk është një tender me para publike por një investim privat që arrin vlerën e mbi 70 milion eurove. Përzgjedhja e kompanisë fituese është bërë me garë ndërkombëtare në bazë të kritereve ekonomike dhe eksperiencës në këtë sektor.

Ndërkohë, fituesi ka ofruar çmime energjie më të lira se sa kanë marrë vendet e rajonit në vitin 2018 për ankande të ngjashme dhe gati 10 euro më të lira se çmimet mesatare vjetore të importit të energjisë elektrike nga kompanitë publike të energjisë. “Plaku dixhital” duhet të zgjidhë dilemën. E kanë përdorur për të amplifikuar një shantazh ndaj bizneseve private apo ka diçka që i djeg pas veshit lidhur me hetimet që ende vazhdojnë për privatizimin e OSSH tek CEZ a.s., rolin e familjarëve dhe të tijin personal?! Nuk gjendet dot një arsye përse ky njeri merakoset sot se kush po kërkon të blejë kompaninë CEZ në Bullgari apo gjetkë! Apo mos ka hallin se në blerje e sipër dalin dhe dokumenta që vërtetojnë transaksione të pashpjeguara me Shqipërinë në kohën e privatizimit?!

(A.B. Dosja.al)

Tirana është boshatisur për ditët e pushimit. Cilën nga ritet e shenjta po ndiqni:

View Results

politike politike damian gjiknuri dosja cez parku fotovoltatik ne vlore perplasja gjiknuri berisha sali berisha damian gjiknuri dosja cez parku fotovoltatik ne vlore perplasja gjiknuri berisha sali berisha

Sondazh

Poll