Politike

"Presim që KQZ të sigurojë një proces zgjedhor gjithëpërfshirës", BE: Certifikimi i partive në Kosovë të jetë në përputhje me ligjin, mos të politizohet!

Be shton se procesi i certifikimit duhet të bazohet në standarde dhe procedura ligjore në përputhje me ligjin në fuqi, dhe jo në konsiderata politike.

31 Dhjetor 2024, 13:43 Nga N.F
"Presim që KQZ të sigurojë një proces zgjedhor
Foto ilustruese

KOSOVË- Bashkimi Evropian ka reaguar sot lidhur me moscertifikimin e Listës Serbe ndërsa ka theksuar se presin nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të sigurojë me të gjitha mekanizmat një proces zgjedhor gjithëpërfshirës, ​​të besueshëm dhe transparent.

Një reagim i tillë vjen në ditën kur Gjykata Supreme e Kosovës ka hedhur poshtë si të palejuar ankesën e partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), kundër certifikimit të partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, Lista Serbe, duke i hapur rrugën pjesëmarrjes së saj në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit. Lidhur me këtë çështje sot Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mban mbledhje në ora 14:00.

“BE-ja dhe shtetet anëtare të saj kanë nënvizuar në konkluzionet e Këshillit të 17 dhjetorit zhvillimet pozitive në Kosovë sa i përket kornizës zgjedhore, bazuar në rekomandimet e BE-së, para zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Përderisa Kosova dhe qytetarët e saj gëzojnë një demokraci të gjallë, mos certifikimi i një partie politike për shkak të konsideratave politike dhe jo procedurave ligjore do të ishte një pengesë serioze. Të gjithë kandidatët e kualifikuar duhet të kenë mundësinë të marrin pjesë në zgjedhje të lira dhe të ndershme, në përputhje të plotë me ligjin e Kosovës”, thuhet në reagimin e BE-së.

Be shton se procesi i certifikimit duhet të bazohet në standarde dhe procedura ligjore në përputhje me ligjin në fuqi, dhe jo në konsiderata politike.

“BE-ja thekson se procesi zgjedhor duhet të jetë transparent, i besueshëm dhe pa ndërhyrje politike. Presim që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), roli i të cilit në mbikëqyrjen e zgjedhjeve është vendimtar, të sigurojë tani me të gjitha mekanizmat e aplikueshëm një proces zgjedhor gjithëpërfshirës, ​​të besueshëm dhe transparent, duke u mundësuar votuesve kosovarë që të shprehin qartë zgjedhjet e tyre.

Përgjegjësia për të ruajtur garancitë demokratike është e të gjithë anëtarëve të KQZ-së, pavarësisht nga përkatësia e tyre politike. Një çështje e tillë themelore nuk duhet të politizohet dhe të përdoret si zë në fushatën elektorale”, thuhet në reagim. 

be kosove

Sondazh

Poll