Aktualitet

U plagos nga atentati ndaj Kevin Hajrullës në Vlorë, Armand Spahiu: U shtriva në tokë prej krismave, mendova se janë fishekzjarre

Ai tregon se fillimisht ka menduar se janë fishekzjarre dhe është shtrirë përtokë, teksa kur kanë mbaruar krismat është ngritur, ka marrë një ujë në një tabakino dhe aty ka parë se është plagosur.

20 Dhjetor 2024, 15:31 Nga M.B
U plagos nga atentati ndaj Kevin Hajrullës në Vlorë, Armand
Armand Spahiu

VLORA- 35-vjeçari Armand Spahiu, i cili mbeti i plagosur në ngjarjen e të mërkurës në mbrëmje në Vlorë ka treguar për mediat përjetimin e tij. Ai tregon se fillimisht ka menduar se janë fishekzjarre dhe është shtrirë përtokë, teksa kur kanë mbaruar krismat është ngritur, ka marrë një ujë në një tabakino dhe aty ka parë se është plagosur. Spahiu thotë se dy efektivë të policisë pas ngjarjes e kanë çuar në spital. Ai thotë se çdo ditë punon si shitës tek një njeri i tij. 35-vjeçari thotë se punon për të mbajtur familjen. 

Kevin Hajrulla dhe Armand Spahiu kanë mbetur të plagosur mbrëmjen e së mërkurës në Vlorë, nga një atentat me armë zjarri. Shënjestra e atentatit ishte 30-vjeçari, Kevin Hajrulla, i cili është kushëriri i Inez Hajrulla, i njohur ndryshe si "i forti i Vlorës". 35-vjeçari Armand Spahiu, i cili shiste fruta-perime pranë vendit ku ndodhi ngjarja, raportohet të mos ketë lidhje me ngjarjen.

Autorët vijojnë ende të lirë dhe të paidentifikuar, ndërsa dyshohet se kanë qenë tre, një shofer dhe dy qitës, që qëlluan nga një makinë tip 'KIA' me targa italiane të vjedhura. Pasi qëlluan rreth 30 herë me breshëri drejt automjetit të Hajrullës, ata janë larguar në drejtim te fshatit Panaja, ku dhe kanë djegur automjetin e përdorur në plagosje. Brenda automjetit janë gjetur dy armë zjarri tip kallashnikov dhe dy krehër fishekë. Policia ka ushtruar kontrolle në disa banesa për gjetjen e tyre.

vlora

Sondazh

Poll