Aktualitet

Sulmet ruse në Kiev dëmtojnë ambasadën shqiptare, raportohen vetëm dëme materiale

Ministria njofton se janë dëmtuar pjesërisht fasada e jashtme dhe disa hapësira brenda godinës së ambasadës së Shqipërisë në Kiev dhe ambasadave të pesë vendeve të tjera.

20 Dhjetor 2024, 14:48 Nga r.ll
Sulmet ruse në Kiev dëmtojnë ambasadën shqiptare, raportohen
pamje nga sulmet

UKRAINË- Ministria e Jashtme ka njoftuar se sulmet ruse në Kiev kanë dëmtuar edhe ambasadën shqiptare atje. Sipas njoftimit të ministrisë janë dëmtuar pjesërisht fasada e jashtme dhe disa hapësira brenda godinës së ambasadës së Shqipërisë dhe ambasadave të pesë vendeve të tjera. Deri më tani nuk raportohet për persona të lënduar por vetëm dëme materiale.Më tej në njoftim thuhet se mbrojtja e personelit diplomatik dhe paprekshmëria e misioneve janë parime të panegociueshme që duhet të respektohen dhe të zbatohen plotësisht.

NJOFTIM PËR MEDIAN

Një seri sulmesh ajrore të Federatës Ruse tronditën Kievin të premten në mëngjes, duke shkaktuar dëme të shumta në disa zona në kryeqytetin e Ukrainës.

Si pasojë e këtyre sulmeve, u dëmtuan pjesërisht fasada e jashtme dhe disa hapësira brenda godinës së ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Kiev dhe ambasadave të pesë vendeve të tjera, duke vënë në rrezik jetën e personelit diplomatik. Raportohet vetëm për dëme materiale.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dënon pa asnjë mëdyshje këto sulme brutale. Ky akt i pakuptimtë është një sulm ndaj themeleve të vetë diplomacisë ndërkombëtare. Mbrojtja e personelit diplomatik dhe paprekshmëria e misioneve janë parime të panegociueshme që duhet të respektohen dhe të zbatohen plotësisht.

Më herët u raportua se sulmet me raketa të Rusisë kanë dëmtuar edhe ndërtesën ku ndodhet ambasada e Maqedonisë së Veriut. Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme e këtij vendi njoftoi se personeli diplomatik i pranishëm në ambasadë, nuk është lënduar. Në reagimin e saj, ministria dënoi ashpër sulmet me raketa të kryera nga ushtria ruse.

lufta rusi-ukraine ambasada shqiptare ne ukraine

Sondazh

Poll