Politike

"Vizion i qartë i qeverisë"/ Digjitalizimi, Peleshi: Lançojmë asistentin virtual për të aksesuar në shërbimet publike

Peleshi tha se ka vende shumë të zhvilluara ta cilat nuk e kanë prioritet digjitalizimin dhe shpejtësia me të cilën ndjekin këtë udhë nuk është e lartë, teksa ka vende si Shqipëria e cila e ka vendosur digjitalizimin si prioritet.

19 Dhjetor 2024, 19:29 Nga E. D
"Vizion i qartë i qeverisë"/ Digjitalizimi, Peleshi:
Niko Peleshi

TIRANË- Kreu i grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Niko Peleshi duke folur nga foltorja e Kuvendit tha se qeveria shqiptare ka një vizion të qartë sa i takon digjitalizimit të vendit. Peleshi tha gjithashtu se Shqipëria po rreshtohet si një nga vendet me shpejtësinë më të lartë të digjitalizimit. Sipas tij, ka vende shumë të zhvilluara ta cilat nuk e kanë prioritet digjitalizimin dhe shpejtësia me të cilën ndjekin këtë udhë nuk është e lartë, teksa ka vende si Shqipëria e cila e ka vendosur digjitalizimin si prioritet.

"Kjo marrëveshje është pjesë e një vizioni që na ndan nga e shkuara dhe qeverisjet e së shkuarës. Bëhet fjalë për modernizimin e Shqipërisë dhe ekonomisë shqiptare, të kulturës dhe edukimit përmes digjitalizimit. Po jetojmë në një epokë transformimi të shpejtë digjital dhe jo të gjitha vendet në këtë epokë lëvizin me të njëjtën shpejtësi. Shqipëria po rreshtohet si një nga vendet me shpejtësinë më të lartë në digjitalizim. Shqipëria është një nga vendet e pakta që ka arritur mbi 95% të shërbimeve publike online me e-Albania.

Është nga vendet e pakta, që do të lançojë së shpejti asistent virtual me IA për të ndihmuar shqiptarët brenda dhe jashtë vendit, për të aksesuar në shërbime publike pa nevojën e pranisë fizike, duke i marrë ato online. Nuk duhet parë ky projekt si masë e veçantë për modernizimin e infrastrukturës arsimore, pasi nuk është e vetmja masë, por është pjesë e një vizioni më të gjerë. Duhet parë krahas mbështetjes nga qeveria shqiptare, për kurse kodimi për mijëra të rinj nga i gjithë vendit. Ngritja e agjencisë së startup, duke ndihmuar ngritjen e ndërmarrjeve të reja, si dhe ligjit për kërkimin shkencor, që kërkon ti japi këtij sektori impuls të ri”, tha ai.

niko peleshi

Sondazh

Poll