Aktualitet

Inceneratori i Fierit/ Apeli i GJKKO pranon kërkesën e SPAK, kthen çështjen për rigjykim me tjetër trupë gjykuese

Në njoftimin bëhet me dije se trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët Engert Pëllumbi, Dhimitër Lara dhe Miliana Muça vendosën prishjen e vendimit të datës 25 shtator 2023 dhe kthimin e akteve të kësaj gjykate me tjetër trup gjykues.

19 Dhjetor 2024, 14:24 Nga N.F
Inceneratori i Fierit/ Apeli i GJKKO pranon kërkesën e SPAK, kthen
Foto ilustruese

TIRANË- Apeli i GJKKO-së ka pranuar kërkesën e SPAK dhe prishi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë. Më tej bëhet me dije se Apeli i GJKKO-së ka kthyer çështjen për rigjykim me tjetër trupë gjykuese. 

Në njoftimin bëhet me dije se trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët Engert Pëllumbi, Dhimitër Lara dhe Miliana Muça vendosën prishjen e vendimit të datës 25 shtator 2023 dhe kthimin e akteve të kësaj gjykate me tjetër trup gjykues.

Më 25 shtator 2023, Gjykata e Posaçme dënoi me 10 vjet heqje lirie ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka për dosjen e inceneratorit të Fierit. Ndërkohë ish-sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit, Bllako u dënua me 2 vite e 8 muaj burg për akuzën “shpërdorim detyre të nëpunësit që kryen detyrë publike”. SPAK, kërkon dënimin e tij për veprën “shpërdorim detyre të funksionarit të lartë shtetëror”.

Hetimet për inceneratorin e Fierit u mbyllën dhjetor 2022. Sipas akuzave të SPAK për inceneratorin e Fierit u paguan 4 milionë euro për punë që nuk u kryen asnjëherë, ndërsa 60 milionë lekë është dëmi i shkaktuar në buxhetin e shtetit në skemën e mashtrimit.

Njoftimi:

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Engert Pëllumbi (kryesues), Dhimitër Lara (anëtar) dhe Miliana Muça (anëtare), më datë 19.12.2024, shpalli vendimin lidhur me çështjen e regjistruar me nr. 26 akti, datë 04.04.2024 regjistrimi, mbi ankimin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, si dhe mbi ankimet e ankuesve/të pandehurve L.K., A.B., P.A., S.C., F.M., A.Sh., A.K., E.M., K.Z., L.D., A.D., J.Y., kundër vendimit nr. 57, datë 25.09.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe vendosi:

Prishjen e vendimit nr.57, datë 25.09.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe kthimin e akteve kësaj gjykate me tjetër trup gjykues.
Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 20 (njëzet) ditëve nga e nesërmja e njoftimit të tij.

 

gjkko spak inceneratori i fierit

Sondazh

Poll