Politike

Rihapja e Notre Dame në Paris/ Osmani takime me Trump, Macron dhe Musk! Rama i distancuar nga liderët e tjerë apo i rezervuar në rrjetet sociale?

Restaurimi, një arritje spektakolare në vetëm pesë vjet për një strukturë së cilës iu deshën gati dy shekuj për t'u ndërtuar, shihet si një moment triumfi për presidentin francez Emmanuel Macron, i cili këmbënguli për afatin ambicioz kohor dhe një lehtësim nga problemet politike të brendshme me të cilat ai përballet.

9 Dhjetor 2024, 08:21 Nga M.B
Rihapja e Notre Dame në Paris/ Osmani takime me Trump, Macron dhe Musk!
Linda Rama, Edi Rama, Donald Trump, Vjosa Osmani dhe Emmanuel Macron

PARIS- Kryevepra madhështore e stilit gotik Notre Dame hapi dyert për besimtarët ditën e shtunë për herë të parë që kur flakët pothuajse e shkatërruan atë në vitin 2019. Ceremonia, e planifikuar që të fillonte jashtë, u zhvendos tërësisht brenda për shkak të erërave të forta të dhjetorit në brigjet e lumit Sena. 

Restaurimi, një arritje spektakolare në vetëm pesë vjet për një strukturë së cilës iu deshën gati dy shekuj për t'u ndërtuar, shihet si një moment triumfi për presidentin francez Emmanuel Macron, i cili këmbënguli për afatin ambicioz kohor dhe një lehtësim nga problemet politike të brendshme me të cilat ai përballet.

Ceremonia, ku morën pjesë 1,500 personalitete, përfshirë Presidentin e zgjedhur të SHBA-ve Donald Trump, Princin e Britanisë William dhe Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy, por edhe kryeministrin Edi Rama e presidenten e Kosovës Vjosa Osmani, ishte një kujtesë e rolit historik të Katedrales Notre Dame si një fener shpirtëror dhe kulturor.

Nga kjo ceremoni presidentja Osmani ka postuar në rrjetet sociale disa foto nga takime të ndryshme. Osmani ka postuar një foto në llogarinë e saj në "Facebook" ku duket ajo mes presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump dhe presidentit të Francës, Emmanuel Macron. Gjithashtu Osmani përmes një postimi në "X" ka bërë të ditur se ka pasur nderin të takohet me Trump, gjatë qëndrimit të saj në Paris. Ajo ka uruar Trump për fitoren e tij në emër të popullit të Kosovës dhe ka rikonfirmuar angazhimin e Kosovës për forcimin e aleancës me Shtetet e Bashkuara.

Po ashtu Osmani, gjatë pjesëmarrjes në ceremoninë e rihapjes së katedrales ikonike Notre-Dame në Paris, zhvilloi një takim me miliarderin dhe inovatorin Elon Musk. 

Nga ana tjetër ajo që bie në sy është fakti se kryeministri Edi Rama nuk ka postuar asnjë foto në llogaritë e tij në rrjetet sociale nga takimet që mund të ketë patur ose jo nga kjo ceromoni. Ai është mjaftuar me postimin e një videoje që tregon pamje të përgjithshme nga momentet e ceremonisë së rihapjes së Notre Dame.

notre-dame de paris

Sondazh

Poll