Politike

"Rusia luftë hibride në Ballkanin Perëndimor"/ Ministri Hoxha: Dezinformimit rus i janë shtuar edhe portale në gjuhën shqipe

Duke folur në Komisionin e Dezinforimit, Hoxha e cilësoi përhapjen e kërcënimeve hibride si një sfidë serioze për sigurinë kombëtare dhe rendin demokratik.

4 Dhjetor 2024, 10:52 Nga I.A
"Rusia luftë hibride në Ballkanin Perëndimor"/ Ministri
Ervin Hoxha

TIRANË- Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha ka prekur rreziqet që paraqesin kërcënimet hibride dhe ndikimi i Rusisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Duke folur në Komisionin e Dezinforimit, Hoxha e cilësoi përhapjen e kërcënimeve hibride si një sfidë serioze për sigurinë kombëtare dhe rendin demokratik.

“Përhapja e kërcënimeve hibride paraqitet sfidë serioze dhe komplekse për sigurinë dhe stabilitetin e vendeve demokratike. Shqipëria si vend i ndërvarur nga zhvillimet ekonomike, rajonale e globale dhe duke qenë anëtar i NATO dhe kandidat për në BE, e konsideron aftësinë për të parandaluar, kundërshtuar e për t’iu përgjigjur sulmeve hibride si prioritet madhor me qëllim ruajtjen e rendit dhe sigurisë kombëtare, kohezionin social dhe garantimin e vazhdimësisë së të gjitha shërbimeve të sigurisë kombëtare. Në sajë të teknologjisë së avancuar dhe globalizmit, format e luftës hibride janë bërë më të sofistikuara duke kombinuar mjete ushtarake  dhe jo ushtarake, metoda të fshehta dhe përdorimi i dezinformimit përmes sulmit kibernetik, presionit ekonomik e investimeve të kushtëzuara në funksion të destabilizmit së rendit demokratik dhe shoqëror dhe disfunksionimin e institucioneve shtetërore.

MB e ka vlerësuar të domosdoshme marrjen e masave për parandalimin mbrojtjen dhe reagimin efektiv ndaj këtyre kërcënimeve. Ka një vlerësim të përbashkët të institucioneve në përballje me kërcënimet hibride që kërkon qasje të integruar dhe ndërinstitucionale, koordinimin të gjitha strukturat dhe agjencive shtetërore të angazhuara në fushën e sigurisë në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Në këtë kuadër rritja e qëndrueshmërisë në infrastrukturën kritike të informacionit forcimi i kapaciteteve për zbulim dhe parandalimin e kërcënimeve hibride përmes investimeve në teknologji, edukimi i publikut dhe forcimi i institucioneve demokratike mbeten jetike për përmbushjen e objektiva strategjike për përballimin e kësaj sfide”, tha Hoxha.

Duke u ndalur te ndikimi i Rusisë, Hoxha vuri në dukje se Moska është ndër aktorët kryesorë të fushatave hibride në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Në fjalën e tij, Hoxha theksoi se një pjesë e konsiderueshme e propagandës ruse përhapet në gjuhën serbe. Hoxha më tej theksoi se vendi ynë është më pak i prekur nga kjo fushatë hibride e Rusisë.

“Autorët kryesorë të fushatave hibride dhe format kryesore të tyre në sulmet kibernetike, si edhe të çdo aktiviteti tjetër të zonës gri janë aktorë shtetërorë dhe organizata të sponsorizuar prej tyre dhe më pak organizata biznesi joqeveritare. Në nivel global është gjerësisht e pranuar se aktor kryesor të luftë hibride janë katër shtete kryesore, Rusia, Kina, Irani dhe Koreja e Veriut. Në vendet e Ballkani Perëndimor, ndër vendet më aktive në luftën hibride është Rusia. Rajoni i Ballkanit Perëndimor ndodhet i ndarë dhe në të veprojnë forca konkurrues e politike. Rusia ka shtuar prezencën dhe ndikimin në rajon duke kundërshtuar dhe vonuar procesin e integrimit europian të këtyre vende përmes influencës politike por edhe ekonomike. Pranohet se propaganda politike e Moskës nuk vjen direkt nga Moska, por vjen e ripaketuar në të njëjtën mënyrë si të vinte nga andej dhe shpërndahet përmes satelitëve të saj në rajon. 90% e kësaj propagande ruse bëhen në gjuhën serbe. Shqipëria është më pak e prekur dhe më pak e ndikuar nga kjo fushatë hibride e Rusisë dhe satelitëve të saj në rajon. Kohët e fundit vlerësohet se infrastrukturës dezinformuese ruse në rajon i janë shtuar portale edhe në gjuhen shqipe, vazhdojnë të kenë shikueshmëri dhe lejueshmëri të kufizuar dhe numër të vogël klikimesh”, tha Hoxha.

ervin hoxha

Sondazh

Poll