Politike

Zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, KQZ: Subjektet politike ende nuk kanë dorëzuar listat e kandidatëve, afati i fundit është më 11 dhjetor

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi njoftoi se asnjë aplikim nga partitë politike, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur nuk është pranuar ende.

2 Dhjetor 2024, 12:42 Nga I.A
Zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, KQZ: Subjektet politike ende nuk
KQZ

KOSOVË- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë (KQZ) ka nisur përgatitjet për zgjedhjet parlamentare të planifikuara për 9 shkurt 2025, por deri tani partitë politike nuk kanë dorëzuar listat e kandidatëve për deputetë. Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi njoftoi se asnjë aplikim nga partitë politike, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur nuk është pranuar ende. Ai theksoi se afati për dorëzimin e kërkesave për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhje është deri më 11 dhjetor 2024.

“Deri më 11 dhjetor, subjektet politike (partitë politike, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur) duhet të dorëzojnë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kërkesat e tyre për certifikim për pjesëmarrje në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës që do të mbahen më 9 shkurt 2025. Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe, subjektet politike duhet të dorëzojnë edhe listat e tyre me emrat të kandidatëve për deputetë. Kjo periudhë ka filluar më 1 shtator, por mund t’iu konfirmoj se deri më tani nuk kemi pranuar ndonjë aplikim nga ana e subjekteve politike”, tha Elezi.

I pyetur se pasi subjektet politike të dorëzojnë listat për kandidatët për deputetë se a do ta bëjë KQZ-ja verifikimin e tyre, ai tha: “Këshilli Gjyqësor i Kosovës është njëri prej institucioneve që KQZ-ja do të kërkojë verifikim të kandidatëve. Në nenin 30 të ligjit për zgjedhje të përgjithshme, theksohet se kandidat nuk mund të jetë një person nëse ‘është dënuar në 3 vitet e fundit me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale, me një ose më shumë vjet burgim efektiv’. Prandaj, me qëllim të zbatimit të këtij përcaktimi ligjor, do të kërkojmë nga KGjK-ja që të verifikojë listën e kandidatëve nëse ndonjëri prej tyre nuk është në përputhje me këtë kufizim ligjor.

kqz valmir elezi

Sondazh

Poll