Sport

Kualifikueset e Europianit për femra, vajzat kuqezi mundin Malin e Zi!

U-19 fitoi takimin e parë të grupit B1 ndaj Malit të Zi me rezultatin 2-1, e vlefshme për raundin e parë të kualifikueseve të Kampionatit Europian 2025 për këtë grupmoshë.

27 Nëntor 2024, 22:26 Nga DOSJA
Kualifikueset e Europianit për femra, vajzat kuqezi mundin Malin e Zi!

TIRANE - Kombëtarja shqiptare e vajzave U-19 fitoi takimin e parë të grupit B1 ndaj Malit të Zi me rezultatin 2-1, e vlefshme për raundin e parë të kualifikueseve të Kampionatit Europian 2025 për këtë grupmoshë. Vajzat dominuan ndeshjen në “Arenën Kombëtare” dhe golat e fitores u shënuan nga Adela Qose dhe Xhesika Ndoj.

Trajnerja Luçije Gjini e nisi ndeshjen ndaj Malit të Zi me këtë formacion titullar: Rajmonda Spahiu (GK), Anxhela Nika, Klea Alushi, Xhesika Ndoj (C), Klesta Ago, Rosela Vasa, Bora Bushati, Kristina Hoxhaj, Adela Qose, Era Methoxha dhe Stela Vata.

Shqipëria e menaxhoi shumë mirë ndeshjen dhe në minutat e para ishte e kujdesshme në prapavijë. Vajzat zhbllokuan takimin në minutën e 30-të me një gol shumë të bukur nga Adela Qose. Pjesa e parë u mbyll 1-0.

Fraksioni i dytë nuk nisi mirë për Shqipërinë. Mali i Zi barazoi rezultatin me Nada Doknić në minutën e 48-të.

Trajnerja Luçije Gjini kreu zëvendësimin e parë në minutën e 56-të. Nga loja doli Bora Bushati dhe u aktivizua Rigela Hysa.

Vajzat kuqezi morën sërish avantazhin në minutën e 68-të me kapitenen Xhesika Ndoj, e cila mposhti portieren kundërshtare me një goditje nga brenda zonës.

Vajzat dominuan deri në fund të takimit dhe shpërdoruan edhe disa raste të mira shënimi. Në fund, sfida u mbyll me fitoren e Shqipërisë 2-1.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll