Politike

"Ende përballet me akuza!" Heqja e masës ndaj Berishës/ Mediat e huaja: Lideri i opozitës shqiptare lirohet nga arresti në shtëpi

"Associated Press" shkruan se një gjykatë shqiptare liroi të mërkurën nga arresti shtëpiak ish- kryeministrin Sali Berisha, i cili drejton Partinë Demokratike në opozitë dhe akuzohet për korrupsion.

27 Nëntor 2024, 13:26 Nga M.B
"Ende përballet me akuza!" Heqja e masës ndaj Berishës/
Sali Berisha

TIRANA- Mediat e huaja i kanë kushtuar hapësirën e tyre në artikuj çështjes së heqjes së masës së sigurisë ndaj kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha.

"Associated Press" shkruan se një gjykatë shqiptare liroi të mërkurën nga arresti shtëpiak ish- kryeministrin Sali Berisha, i cili drejton Partinë Demokratike në opozitë dhe akuzohet për korrupsion. Në artikull shtohet se Gjykata Speciale për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, e cila mbulon çështje me zyrtarë të lartë dhe politikanë, ka hequr urdhrin për arrest shtëpie të Berishës të lëshuar gati një vit më parë, pa dhënë asnjë arsye.

Gjithashtu "The Washington Post" shkruan se një gjykatë shqiptare ka liruar nga arresti shtëpiak ish-kryeministrin Sali Berisha, dhe ka hequr urdhrin për arrest shtëpie të lëshuar gati një vit më parë.

Edhe agjencia e lajmeve "Reuters" i ka kushtuar një artikull kësaj çështjeje një artikull duke shkruar se Berisha i mohon akuzat dhe thotë se ato janë pjesë e një hakmarrjeje politike kundër tij nga partia në pushtet. Në artikull shkruhet se arresti i i tij në shtëpi ka shkaktuar protesta të rregullta antiqeveritare, përfshirë të martën, kur policia përdori gaz lotsjellës dhe ujë për të shpërndarë qindra protestues që bllokuan rrugët kryesore në kryeqytetin Tiranë.

Edhe "Abc News" i ka kushtuar vëmendje rastit duke shkruar se gjatë periudhës së arrestit shtëpiak, Berisha, 80-vjeç, ka qëndruar në banesën e tij në qendër të Tiranës. Në artikull shtohet se ndonëse i ndalohej të komunikonte me njerëz të tjerë përveç familjes dhe avokatëve të tij, çdo mbrëmje ai mbante fjalime për grupe të vogla mbështetësish të mbledhur jashtë ndërtesës së tij.

sali berisha

Sondazh

Poll