Politike

"Kemi kryer të gjitha kërkimet e mundshme!" Lirimi i Berishës/ Gjokutaj: Me heqjen e masave të sigurimit, çështja ka rënë në themelin e saj

Gjokutaj tha se procesi që ka ndjekur Berisha ka qenë i paligjshëm dhe se masa e sigurimit ishte vendosur me qëllime joligjore.

27 Nëntor 2024, 12:31 Nga M.B
"Kemi kryer të gjitha kërkimet e mundshme!" Lirimi i
Genc Gjokutaj

TIRANA- Avokati i tij, Genc Gjokutaj, e cilësoi heqjen e masës ndaj kreut të PD-së Sali Berisha si një rezultat të një pune të gjatë dhe të kujdesshme ligjore, duke theksuar se nuk ishte një surprizë për ata. Në një intervistë për Syri TV, Gjokutaj tha se procesi që ka ndjekur Berisha ka qenë i paligjshëm dhe se masa e sigurimit ishte vendosur me qëllime joligjore.

Ai shtoi se, që në fillim, ishin bërë kërkesa ligjore për revokimin e masës së “arrestit në shtëpi”, duke u bazuar në vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe në ligjin shqiptar. Avokati theksoi se vendimi i sotëm ka një rëndësi të veçantë, pasi ka konfirmuar se nuk ekziston më asnjë masë sigurimi ndaj Berishës. 

Pjesë nga fjala e Gjokutajt:

Kjo nuk ishte e papritur, por është fryti i një pune njëvjeçare, madje më shumë. Ju jeni në dijeni që kemi kryer të gjitha kërkimet e mundshme që parashikon Kodi i Procedurës Penale, duke u azhornuar me të gjitha praktikat dhe jurisprudencën e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut. Ne kemi thënë që në fillim se ky proces është i paligjshëm dhe, për më tepër, masa e sigurimit, e rënduar me qëllime joligjore, ishte gjithashtu e paligjshme.

Aq më tepër, që në momentin e parë bëmë kërkesë te gjyqtarja paraprake për revokimin e masës së sigurimit “arrest në shtëpi” për zotin Berisha, duke u bazuar edhe te vendimi i Gjykatës Kushtetuese, e cila e cilësoi masën më të lehtë – atë të ndalimit të daljes jashtë shtetit – si joproporcionale. Llogarisni tani masat më të rënda.

Vendimi i sotëm merr një rëndësi të veçantë nga pikëpamja ligjore, pasi zoti Berisha tashmë nuk ka asnjë masë sigurimi, qoftë edhe detyrim për paraqitje. Gjykata i është referuar neneve 228-229 të Kodit Penal, që përcaktojnë kushtet dhe kriteret për ndryshimin e masës, ku është konstatuar se mungon kushti bazë, që është prania e një dyshimi të arsyeshëm.

Me heqjen e masave të sigurimit për zotin Berisha, çështja ka rënë në themelin e saj. Kjo tregon se Berisha, në këto momente, është i lirë dhe në pozicionin e tij si lider i opozitës, pas një lufte të pabarabartë me këtë sistem gjyqësor të kapur për arsye politike.

sali berisha

Sondazh

Poll