Aktualitet

Kokainë nga Ekuadori në Europë/ Dalin në gjykatë 15 anëtarët e grupit të Dritan Gjikës! Droga fshihej mes eksportit të bananeve

Prokuroria siguron se dëshmitë, dokumentacioni dhe ekspertiza do të tregojnë funksionimin e kësaj strukture kriminale. Mes të akuzuarve janë persona fizikë dhe juridikë (tetë kompani), që dyshohet se drejtohen nga Dritan Gjika me origjinë shqiptare dhe nga Mario Sánchez Rinaldi, argjentinas.

23 Nëntor 2024, 22:55 Nga I.A
Kokainë nga Ekuadori në Europë/ Dalin në gjykatë 15
Seanca gjyqesore

EKUADOR- Detaje të reja kanë dalë nga rrjeti shqiptar i trafikut të drogës në Ekuador. Mediat vendase shkruajnë se ditën e sptme Prokuroria e Përgjithshme prezantoi argumentin fillestar në seancën gjyqësore për krim të organizuar ndaj 15 të pandehurve për grupin e quajtur 'Pampa'. Sipas hetimeve, ata krijuan një rrjet kriminal të lidhur me mafian shqiptare të lidhur me Dritan Gjikën. 

Ky grup kishte dërguar sasi të mëdha droge nga Porti Detar i Guayaquil në Evropë duke përdorur modalitetin e "grepave të verbër", i cili konsiston në fshehjen e kokainës në kontejnerë mallrash të eksportueshme në terminalet portuale. Seanca zhvillohet në Kompleksin Gjyqësor Verior të Kuitos dhe përfaqëson fazën përfundimtare të çështjes Pampa. Hetimi filloi me operacione të njëkohshme në shkurt 2024, në të cilat u arrestuan 30 të dyshuar dhe u sekuestruan rreth 2 milionë dollarë e 450 mijë euro para të gatshme.

Prokuroria siguron se dëshmitë, dokumentacioni dhe ekspertiza do të tregojnë funksionimin e kësaj strukture kriminale. Mes të akuzuarve janë persona fizikë dhe juridikë (tetë kompani), që dyshohet se drejtohen nga Dritan Gjika me origjinë shqiptare dhe nga Mario Sánchez Rinaldi, argjentinas.

Sipas Prokurorisë, rrjeti nuk i dedikohej vetëm trafikut të drogës, por përdorte edhe kompanitë eksportuese të bananeve si front për të pastruar pasuritë e përfituara nga këto aktivitete të paligjshme. Pas fjalës hyrëse të Prokurorisë, trupi gjykues shpalli pushim pas mesditës. Mbrojtjet e 15 të pandehurve do të vazhdojnë të paraqesin argumentet hyrëse pas pushimit. 

Dënimet dhe procedurat e mëparshme

Çështja tashmë po përparon. Më 29 korrik, Álex Quirola, Marco Morocho dhe Jesús R. u dënuan me 36 muaj burg pasi përfituan nga procedura e shkurtuar. Këta të pandehur kanë pranuar pjesëmarrjen e tyre në strukturë, në krimin e organizuar për trafik droge dhe kanë bashkëpunuar me drejtësinë.

Rrjeti kriminal u çmontua në një mega-operacion të kryer në Ekuador dhe Spanjë, shkurtin e kaluar, me mbështetjen e Prokurorisë spanjolle. Seanca përgatitore për gjykimin për çështjen Pampa, për pastrim parash, filloi më 26 shtator 2024. 

Gjatë arrestimeve u sekuestruan dokumente kyçe dhe prova teknologjike për hetimin. U përcaktua se grupi kishte bërë të paktën njëmbëdhjetë dërgesa droge në Holandë, Belgjikë dhe Spanjë, duke kamufluar kokainën në kontejnerët e eksportit të frutave tropikale.

Dritan Gjika dhe Sánchez Rinaldi, të caktuar si drejtues të organizatës, do të kishin koordinuar logjistikën dhe dërgesat nga Ekuadori në Evropë, duke përdorur kontakte strategjike në të dy kontinentet. Prokuroria ka raporte monitorimi, komunikime të koduara nga platforma SKY dhe të dhëna financiare si pjesë e provave që mbështesin akuzën.

dritan gjika mario sánchez rinaldi

Sondazh

Poll