Aktualitet

Të afërmit e autorit të vrasjes së Martin Canit mesazhe dhune në rrjet, bllokohet faqja në TikTok! Identifikohet 16-vjeçari, policia nis hetim ndaj tij

Nga ajo çfarë u arrit të dëgjohej në videon në fjalë, kuptohej se njëri prej të rinjve ishte kushëriri i autorit të dyshuar të vrasjes.

20 Nëntor 2024, 15:57 Nga ZH.LL
Të afërmit e autorit të vrasjes së Martin Canit mesazhe
Martin Cani

TIRANË- Vetëm një ditë pas ngjarjes tragjike ku humbi jetën 14-vjeçari, Martin Cani, në rrjetet sociale u bë virale një video të disa të rinjve që kishin reaguar dhe komentuar mbi ngjarjen e rëndë. Ndërsa mësohet se me kërkesë të policisë, kjo faqe në aplikacionin TikTok është mbyllur.

 

Nga ajo çfarë u arrit të dëgjohej në videon në fjalë, kuptohej se njëri prej të rinjve ishte kushëriri i autorit të dyshuar të vrasjes. Ai bashkë me një djalë tjetër, komentonin ngjarjen në mënyrë krejt të ftohtë, e madje duke qeshur dhe 'komplimentuar' autorin për veprimin e tij. Ata madje gjatë bisedës së tyre, kërcënonin çdokënd që i kundërshtone dhe bënin thirrje për veprime të tjera të ngjashme. "Kush na shan do ta bëjmë shembull", degjohen duke thënë djemtë në video.

Ndërkohë, menjëherë pas publikimit të videos, policia ka identifikuar 16-vjeçarin dhe bëjnë me dije se jeton në SHBA. Policia njofton se për këtë person ka filluar një procedim penal.

“Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike të DVP Tiranë, menjëherë pas publikimit të pamjeve filmike, kanë identifikuar shtetasin 16 vjeç që shfaqet në video, i cili banon në SHBA. Në vijim të veprimeve për rastin, janë referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për fillimin e procedimit penal, për 16-vjeçarin.

Ky shtetas, nëpërmjet rrjeteve sociale, ka bërë thirrje për nxitje të urrejtjes ose grindjeve, për mbajtje të armëve të ftohta nga fëmijët dhe për përdorimin e tyre në konflikte. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprën penale “Nxitja e urrejtjes ose grindjeve”, parashikuar nga neni 265 i Kodit Penal”, sipas njoftimit të policisë.

Ndërkohë, në rrjetet sociale kanë qarkulluar foto dhe video edhe të vetë autorit para dhe pas ngjarjes. Ai vetëm një ditë para se të kryente krimin, kishte publikuar një video ku tregonte thikën. Ndërsa ditën e ngjarjes, vetëm pak minuta pasi kishte ndodhur, autori kishte publikuar po ashtu një tjetër foto në 'Snapchat' ku tregonte sipas tij 'triumf', me grushtin lart dhe dorën tjetër të gjakosur.

Martin Cani humbi jetën mesditën e 18 tetorit pasi u qëllua me thikë në bark nga bashkëmoshatari i tij, Mario Prelleshaj. Ngjarja e rëndë ka ndodhur pas një konflikti mes dy të miturve që ka degraduar në përdorimin e thikës. Mario Prelleshaj dyshohet se ka qenë në klasë paralele me viktimën, në shkollën 9-vjeçare "Fan Noli". Konflikti mes të miturve raportohet se ka nisur në oborrin e shkollës, ndërsa ka agravuar jashtë ambienteve të saj. Autori ka nxjerrë thikën dhe ka qëlluar mbi 14-vjeçarin, Martin Cani.

Pasi është goditur me thikë, Cani është afruar tek shkolla, ka ecur disa metra dhe pasi ka nisur të humbë gjak, është rrëzuar në trotuarin para shkollës. Si pasojë e plagëve të marra, Cani ka ndërruar jetë në spital. I plagosur nga ky sherr ka mbetur edhe shoku i ngushtë i viktimës, i cili nuk mësonte në të njëjtën shkollë me to, po stërviteshin në të njëtin klub futbolli. I plagosur mbeti edhe vetë autori, i cili dyshohet se ka dëmtuar ligamentet e dorës dhe po trajtohet në një klinikë private. 

ngjarja tragjike tirane 14 vjecari autori videot virale

Sondazh

Poll