Politike

Hetimori në Shëndetësi/ Mbledhje mes debatesh dhe akuzash deri në orët e para të mëngjesit, dëshmia e Beqajt dështon për të dytën ditë radhazi! Afati i Komisionit mbyllet sot në mesnatë

Mbledhja e tejzgjatur u zhvillua me ndërprerje të shumta, debate, akuza dhe tensione mes opozitës dhe mazhorancës, për këtë arsye mbledhja u mbyll vetëm në orën 02:20 të mëngjesit të sotëm, kjo pasi opozita kërkonte shtyrjen e afatit të Komisionit, si dhe thirrjen për dëshmi të kryeministrit Edi Rama dhe Vilma Nushit.

14 Nëntor 2024, 08:14 Nga ZH.LL
Hetimori në Shëndetësi/ Mbledhje mes debatesh dhe akuzash deri
Ilir Beqaj

TIRANË- Komisioni Hetimor u mblodh të mërkurën në një mbledhje që zgjati deri në orët e para të mëngjesit të sotëm. Për të dytën ditë me radhë, ish-minitri Ilir Beqaj u paraqit në Kryesinë e Kuvendit, por nuk arriti të dëshmonte. Ish-ministri nuk mundi të paraqitej para deputetëve në komisionin hetimor për koncesionet në Shëndetësi dhe qëndroi pas dere në pritje për t’u marrë në pyetje.

Mbledhja e tejzgjatur u zhvillua me ndërprerje të shumta, debate, akuza dhe tensione mes opozitës dhe mazhorancës, për këtë arsye mbledhja u mbyll vetëm në orën 02:20 të mëngjesit të sotëm. Kjo pasi opozita kërkonte shtyrjen e afatit të Komisionit, si dhe thirrjen për dëshmi të kryeministrit Edi Rama dhe Vilma Nushit, ndërsa socialistët kërkonin që Ilir Beqaj të bënte edhe prezantimin në “Power Point”, e më pas të niste seanca pyetje-përgjigje.

Mazhoranca kërkoi që Ilir Beqaj të dëshmonte brenda afateve që ishin caktuar, duke refuzuar një shtyrje të dytë. Nga ana tjetër, PD refuzoi ta pyeste ish-ministrin pa u marr vendimi për shtyrje të afateve.

Afati i Komisionit mbyllet sot në mesnatë, teksa mbetet i panjohur fakti nëse ish-ministri do të ketë leje edhe për të tretën ditë radhazi që të paraqitet për të dëshmuar në Komision.

Akuza të rënda politike dhe deri në personale u shkëmbyen mes palëve, ndërkohë kryetarja e Komisionit Hetimor Albana Vokshi akuzon mazhorancën se kanë kryer vepër penale dhe do të kallëzohen. Po ashtu Vokshi paralajmëroi se nuk do ta lenë me kaq dhe nuk do ta lënë derisa të zbardhet e vërteta.

 

ilir beqaj hetimori ne shendetesi deshmia opozita

Sondazh

Poll