Aktualitet

Prezantohen 320 koordinatorët e cilësisë në shkolla/ Ministrja Manastirliu: Do bëjnë vlerësim të mësuesve

Ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu, e cilësoi këtë hap si një rol kyç në rritjen e cilësisë në arsim.

8 Nëntor 2024, 20:58 Nga E. D
Prezantohen 320 koordinatorët e cilësisë në shkolla/
Ogerta Manastirliu

TIRANË- Ministria e Arsimit dhe Sportit ka prezantuar 320 mësuesit e përzgjedhur si Koordinatorë të Sigurisë së Cilësisë në shkolla, për të forcuar cilësinë e mësimdhënies dhe për të mbështetur zhvillimin profesional të mësuesve. Ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu, e cilësoi këtë hap si një rol kyç në rritjen e cilësisë në arsim.

“Mësuesi koordinator i cilësisë është aty për të mbështetur procesin e edukimit dhe zhvillimin profesional të mësuesve. Mësuesi në rolin e koordinatorit për sigurimin e cilësisë do të jetë përgjatë gjithë orëve të mësimit i angazhuar sipas një plani ditor, javor dhe mujor për të kryer vlerësime të brendshme të mësuesve sipas departamenteve dhe lëndëve, duke përdorur instrumente vlerësimi të unifikuara. Përmes këtij roli do të krijohet edhe një rrjet mësuesish që do të mbështesin dhe ndihmojnë mësuesit e rinj,” tha ajo. 

Po ashtu Manastirliu u ndal tek buxheti për arsimin për vitin 2025, për të cilin tha se do të ketë një rritje me mbi 9 miliardë lekë të dedikuara për rritjen e pagave të personelit arsimor.

“Buxheti i vitit 2025 do të ketë një rritje të konsiderueshme, me mbi 9 miliardë lekë të dedikuara për rritjen e pagave të personelit arsimor. Mbështetja do të vazhdojë edhe për tekstet falas, transportin për nxënësit dhe mësuesit, si dhe për programin Kombëtar të Zhvillimit Profesional, që siguron trajnime falas për mësuesit. Do të zgjerohet programi Art, Zeje, Sport në 100 shkolla të reja, dhe do të ndërmerren hapa për modernizimin e kornizës kurrikulare, duke hartuar programe të reja për lëndët që kërkojnë më shumë fokus dhe mbështetje”, tha Manastirliu.

ogerta manastirliu

Sondazh

Poll