Sport

Dhunë e ashpër mbi tifozët izraelitë - 10 të plagosur, Netanyahu dërgon ekipin e shpëtimit - Shikoni videon...

Sulmi ndaj tifozëve të Maccabit ndodhi pas përfundimit të ndeshjes me Ajaxin. Mediat izraelite flasin për një "pogrom". Agresorët bërtisnin "Palestinë të lirë"…

8 Nëntor 2024, 08:00 Nga DOSJA

Dhunë e ashpër mbi tifozët izraelitë - 10 të plagosur,

HOLANDE - Sipas Ministrisë së Jashtme të Izraelit, dhjetë të plagosur dhe dy të zhdukur është numri i deritanishëm i sulmit brutal, një pogrom, sipas Jerusalem Post, i pësuar nga tifozët e Maccabi Tel Aviv në Amsterdam, pas përfundimit të ndeshjes kundër Ajax.

Në njoftimin e saj, Ministria e Jashtme izraelite u bën thirrje izraelitëve në Amsterdam që të qëndrojnë në hotelet e tyre. “Shmangni udhëtimet në rrugë dhe mbylluni në hotelet tuaja. Shfaqja e simboleve izraelite dhe hebraike duhet të shmanget”,- ishte direktiva e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Izraelit.

Raportet nga Izraeli dhe Holanda thonë se ambasada izraelite në Amsterdam po ndihmon për t'i zhvendosur izraelitët në siguri, me qeverinë e Netanyahu që dërgon dy avionë për t'i riatdhesuar ata.

Siç njoftoi ushtria izraelite , ajo po dërgon "dy transporte" në Holandë në një mision "shpëtim", me mjekë dhe ekuipazhe shpëtimi në bord, në "koordinim me qeverinë holandeze".

Në videot e sulmeve, persona të maskuar mund të dëgjohen duke bërtitur "Palestinë e lirë", ndërsa të tjerët mbajnë flamuj palestinezë.

Siç raportojnë holandezët, mes të plagosurve ka disa me plagë thikash, ndërsa disa, për të shpëtuar nga turma e tërbuar, u zhytën në ujërat e akullta të kanaleve që rrethojnë Amsterdamin.

Sipas mediave holandeze, shkak për shpërthimin e incidenteve janë bërë veprimet e izraelitëve për grisjen e flamujve palestinezë që ishin varur nga dritaret e shtëpive.

Tifozët izraelitë, nga ana e tyre, denoncojnë një plan të organizuar. Policia dyshohet se la vetëm tifozët e Maccabi Tel Aviv dhe nuk ofroi asnjë shoqërim kur ata hipnin në trena ose drejtoheshin në hotelet e tyre.

“Policia holandeze na shiti në mënyrë që arabët të na linçojnë”,- tha një tifoz pasi mbërriti në aeroportin e Amsterdamit i plagosur dhe i mbuluar me gjak, sipas Jerusalem Post.

Benjamin Netanyahu kërkoi që autoritetet holandeze dhe forcat e sigurisë të veprojnë në një mënyrë "të menjëhershme" dhe "të fuqishme" dhe "të garantojnë sigurinë e qytetarëve tanë" pas incidentit "të tmerrshëm", të cilin ai e trajton me "seriozitetin më të madh".

Ministri izraelit i Sigurisë Itamar Ben Gvir pohoi përmes X se "tifozët që shkuan për të parë një ndeshje futbolli u sulmuan me një egërsi të paimagjinueshme thjesht, sepse ishin hebrenj dhe izraelitë".

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll