Aktualitet

Vakanca në Gjykatën Kushtetuese pas dorëheqjes së Elsa Toskës, Kuvendi shpall listën me emrat e 10 kandidatëve

Të gjithë këta emra do të kalojnë në filtrin e Parlamentit dhe njëri prej tyre pritet të emërohet në vendin e lënë bosh nga ish-gjyqtarja Elsa Toska.

30 Tetor 2024, 15:18 Nga r.ll
Vakanca në Gjykatën Kushtetuese pas dorëheqjes së Elsa
foto ilustruese

TIRANË- Kuvendi ka publikuar emrat e kandidatëve që kanë shprehur interes për pozicionin vakant që u lirua nga dorëheqja e gjyqtares së gjykatës Kushtetuese, Elsa Toskës. 

Në listën e aplikantëve janë dy ish-drejtuesit e Këshillit të Lartë Gjyqësor e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Naureda Llagami e Alfred Balla. Po ashtu, ka aplikuar për vendin vakant në Kushtetuese kryetari i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Roland Ilia, Komisionerja Publike e Vetingut, Irena Nino, ish-anëtarja e KLP-së, Nurihan Seiti, si edhe juristët Klodian Rado, Eris Hysi, Gentian Zyberi, Sinan Tafaj dhe Nertila Sadedini.

Të gjithë këta emra do të kalojnë në filtrin e Parlamentit dhe njëri prej tyre pritet të emërohet në vendin e lënë bosh nga ish-gjyqtarja Elsa Toska. Sipas njoftimit të Parlamentit, gjyqtari që do të zgjidhet në këtë procedurë, do të qëndrojë në detyrë deri në datën 24 nëntor 2028.

Elsa Toska u zgjodh anëtare e Gjykatës Kushtetuese në vitin 2019, për një mandat të plotë 9-vjeçar. Por, dy javë më parë ajo njoftoi zyrtarisht doreheqjen nga pozicioni, për "arsye familjare". Pas dorëheqjes, trupa e Gjykatës Kushtetuese shpalli vakancën dhe njoftoi organin e emërtesës së zonjës Toska për të vijuar me procedurat për zëvendësimin e saj. Tashmë, Parlamenti ka shpallur zyrtarisht thirrjen për aplikime për zëvendësimin e ish-gjyqtares Toska. Sipas njoftimit të Parlamentit, aplikimet duhet të dorëzohenin deri në datën 28 Tetor 2024.

 

elsa toska gjykata kushtetuese

Sondazh

Poll