Politike

Tërmeti/ Basha në Durrës: 26 Nëntori nxorri në pah dështimin dhe paaftësinë e kësaj qeverie, njerëzit flenë jashtë

23 Dhjetor 2019, 12:17 Nga DOSJA
Tërmeti/ Basha në Durrës: 26 Nëntori nxorri në pah

Tiranë– Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar sërish për banorët e prekur nga tërmeti i 26 nëntorit. Basha nëpërmjet një postimi në Facebook ka deklaruar se banorët në Hamallaj, Manzë dhe Radë, të cilët janë prekur nga tërmeti vazhdojnë të flenë jashtë, në çadra ose në makina. Sipas Bashës 26 Nëntori nxorri në pah dështimin dhe paaftësinë e kësaj qeverie.

Reagimi: 

Dështimi, paaftësia dhe këmbëngulja për të mos prekur me asnjë çmim milionat që shkojnë në xhepat e oligarkëve, po e shtyn vendin drejt një krize të thellë ekonomike dhe sociale.

Banorët ne Hamallaj, Manzë dhe Radë vazhdojnë të flenë jashtë, në çadra ose në makina. Pavarësisht propagandës, shteti ështe inekzistent, ndërsa familjarëve tashmë u duhet të përballen edhe me përkeqësim të gjëndjes shëndetësore kryesisht të fëmijëve dhe të moshuarve për shkak të të ftohtit, shirave dhe mungesës së ngrohjes.

Disa prej banorëve kanë që prej tërmetit të 21 shtatorit që janë në mes të rrugës, të harruar nga shteti. Ende qytetarët presin për një vendim për sigurinë e banesave të tyre. Ata nuk e dinë se cfarë do të bëhet me ta, me shtëpitë e tyre me mundin dhe djersën e një jete.

26 Nëntori nxorri në pah dështimin dhe paaftësinë e kësaj qeverie. Nxorri në pah sjelljen e pashpirt dhe kriminale ndaj pasojave të tërmetit të 21 shtatorit që solli humbje jetësh njerëzore.

Banorët më thanë se për faturën e ujit e të dritave shfaqën që në orët e para të mengjesit punonjësit e shtetit, ndërsa në fatkeqësi ata janë të braktisur e të injoruar. Në prag të festave ata janë në mëshirë të fatit, propaganda tregon një realitet larg të vërtetës.

E ndërsa ankthi, pasiguria e qytetarëve, mbyllja e bizneseve, shkurtimi i vendeve të punës vazhdon, qeveria po përgatit vjedhjen e rradhës mbi rrënojat e tërmetit. Kjo qeveri është gati të sakrifikojë qytetarët, fëmijë e të moshuar vetëm të mos prekë 150 milionë dollarët që marrin oligarkët.

Nëse ky kryministër dhe qeveria e tij do të punonte me të njëjtin pasion dhe përkushtim për qytetarët, siç punon për oligarkët, nuk do të kishte qytetarë qe nuk e dinë fatin e banesave të tyre apo jetojnë nëpër çadra, të uritur, të shokuar, dhe në dëshpërim. Tërmeti i 26 nëntorit i ka lënë vendin tërmetit të dështimit dhe shembjes së shtëtit prej kartoni nga babëzia, korrupsioni dhe paaftësia.

Për gjendjen pas tërmetit Kryetari i PD-së, Lulzim Basha nuk ka pranuar ftesën e Ramës për bashkëpunim. PD-ja ka propozuar paketën që përmban 5 pikat për Rimëkëmbjen e Biznesit.

Tërmeti i 26 nëntorit rezultoi tragjik pasi humbën jetën 51 persona, mbi 900 të tjerë u lënduan, 47 u nxorën gjallë nga rrënojat. Ky tërmet shkaktoi edhe shumë dëme materiale, mijëra banesa u dëmtuan dhe për këtë Rama ka ngritur Komitetin e Rindërtimit. Ai ka premtuar se do të ndërtohet nga fillimi çdo banesë që ka dëme të strukturë, ndërsa ato që kanë dëme në mure do të riparohet nga firmat e ndërtimit. Rama tha se projekti i rindërtimin nuk do të dëmtojë “buxhetin 2020”. Ndërkohë Rama premtoi se të gjitha familjet e prekura do të vendosen në banesa të reja, derisa të ndërtohen banesat e tyre. Sipas tij qeraja do të paguhet nga shteti.

J.V/Dosja.al 

Tirana është boshatisur për ditët e pushimit. Cilën nga ritet e shenjta po ndiqni:

View Results

politike politike lulzim basha tragjedia e 26 nentorit 2019 lulzim basha tragjedia e 26 nentorit 2019

Sondazh

Poll