Politike

Von der Leyen sot në Tiranë/ Presidentja e KE-së takim me Ramën, në fokus paketa e BE-së për rritje dhe reforma në rajon

Pas mbërritjes në vendin tonë Von der Leyen do të takohet në orën 15:00 me kryeministrin Edi Rama. Pas këtij takimi pritet që ata të mbajnë një fjalim në ceremoninë e inaugurimit të kampusit të Kolegjit të Europës në Tiranë.

23 Tetor 2024, 07:43 Nga N.F
Von der Leyen sot në Tiranë/ Presidentja e KE-së takim me
Von der Leyen dhe Rama

TIRANË- Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen do të vizitojë ditën e sotme Tiranën. Pas mbërritjes në vendin tonë Von der Leyen do të takohet në orën 15:00 me kryeministrin Edi Rama. Mësohet se në fokus të këtij takimi do të jetë paketa e BE-së për rritje dhe reforma në rajon, e cila përfshin ndihmë financiare prej 6 miliardë euro për këto vende. Pas këtij takimi pritet që ata të mbajnë një fjalim në ceremoninë e inaugurimit të kampusit të Kolegjit të Europës në Tiranë. 

Rreth orës 17:00, Kryeministri Edi Rama dhe Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen, do të marrin pjesë edhe në ceremoninë e hapjes së Kampusit të Kolegjit të Europës. Ky është i pari kampus që hap dyert jashtë një vendi të Bashkimit Europian.

Kampusi i Kolegjit të Evropës në Tiranë do të ofrojë një program akademik me standarde evropiane për studentët dhe profesionistët nga Shqipëria, rajoni i Ballkanit Perëndimor, Bashkimi Evropian dhe më gjerë, dhe do të hapë ciklin e studimeve duke filluar nga ky vit akademik. Agjenda e Von der Leyen vijon të enjten me një takim me presidentin Bajram Begaj në orën 10:00.  

E mërkurë

15:10 - Mbërritja e Von der Leyen në Kryeministri
15:15 - Takim me kryeministrin Rama
16:10 - Deklaratë e përbashkët për shtyp
17:00 - Ceremonia e hapjes se Kolegjit të Europës


E enjte

10:00- Takim me presidentin Bajram Begaj

Ndërkohë të enjten, Ursula von der Leyen do të shkojë në Maqedoninë e Veriut ku do të takohet me kryeministrin, Hristjan Mickoski dhe presidenten, Gordana Siljanovska-Davkova. Po të enjten ajo do të vizitojë Bosnjën e Hercegovinën, ku fillimisht pritet t’i vizitojë zonat e prekura nga përmbytjet e fundit vdekjeprurëse.

Axhenda e saj në Bosnjë nuk përfundon këtu pasi Von der Leyen do të ketë një takim në Presidencën e Bosnjë e Hercegovinës. Nga Bosnja, ajo do të shkojë në Serbi, ku do të takohet me presidentin, Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrin Millosh Vuçeviç. Ditën e fundit të turneut, presidentja Ursula von der Leyen do qëndrojë për vizitë në Kosovë, kurse më pas do të shkojë në Mal të Zi, ku do të takohet me presidentin Jakov Milatoviç dhe kryeministrin Milojko Spajiç.

von der leyen ne tiran rama

Sondazh

Poll