Politike

Drejtuesi politik i PD në Durrës takim me strukturat e qarkut, në fokus aksioni opozitar dhe zgjedhjet e 2025

Edhe e deleguara e PD në Durrës, ka theksuar se elektorati ende i pavendosur duhet të kanalizohet drejt alternativës së opozitës.

20 Tetor 2024, 13:46 Nga r.ll
Drejtuesi politik i PD në Durrës takim me strukturat e qarkut, në
pamje nga takimi

DURRËS- Drejtuesi politik i Partisë Demokratike në Durrës, Oerd Bylykbashi bashkë me të deleguara e PD-së, Ilirjana Kuçanën kanë zhvilluar takime në këtë qark me fokus aksionin opozitar dhe mobilizimin e strukturave drejtuese për zgjedhjet parlamentare të 2025.

Takimi i parë u zhvillua në zonën e Durrësit të Ri. Gjatë fjalës së tij, Bylykbashi ka theksuar domosdoshmërinë e angazhimit të çdo drejtuesi lokal me qëllim vazhdimin e aksionit opozitar deri në pranimin e kërkesës për qeveri teknike. Po ashtu ai ka kërkuar nga strukturat ngritjen në një tjetër nivel të kontakteve në terren me anëtarësinë dhe qytetarët e pavendosur.

“Ne jemi në aksion, jemi në mosbindje civile ndaj qeverisë dhe Edi Ramës. Qëndrimi i PD është se zgjedhje të lira me Edi Ramën kryeministër nuk mund të ketë. Bashkimi i faktorit opozitar dhe bashkimi i qytetarëve përreth PD-së janë garancia jonë për fitoren në 2025”, ka thënë Bylykbashi.

Edhe e deleguara e PD në Durrës, ka theksuar se elektorati ende i pavendosur duhet të kanalizohet drejt alternativës së opozitës.

“Qytetarët duhet të njihen me alternativën tonë. Të zhgënjyerit nga qeverisja e konsumuar e Edi Ramës prej 11 vitesh në pushtet janë shumë herë më tepër se ata që vazhdojnë t’i besojnë socialistëve. Qytetarët nuk kanë çfarë presin më, ne duhet t’iu tregojmë atyre platformën tonë se si Shqipëria do të bëhet më e mirë, më e jetueshme dhe jo një vend që braktiset çdo ditë”, ka thënë Kuçana.

oerd bylykbashi durres

Sondazh

Poll