Politike

Marrëveshja me Italinë për pensionet/ Miratohet në Senat dhe në Dhomën e Deputetëve, hapi i fundit votimi në parlamentin italian

Ndërkohë, nga ana tjetër kjo marrëveshje është miratuar nga Parlamenti shqiptar dhe është publikuar në Fletoren Zyrtare.

3 Tetor 2024, 20:47 Nga r.ll
Marrëveshja me Italinë për pensionet/ Miratohet në Senat dhe
foto ilustruese

ITALI- Komisionet e Politikës së Jashtme në Senat dhe në Dhomën e Deputetëve në Itali kanë miratuar marrëveshjen e pensioneve me Shqipërinë, ku përfitues do të jenë mbi 500 mijë shqiptarë.

Lajmin e bëri të ditur deputeti i partisë Socialiste, Etjen Xhafaj, ku tha se ky është hapi i fundit, ndërsa shtoi se tani mbetet votimi në seancë plenare në parlamentin italian. Ndërkohë, nga ana tjetër kjo marrëveshje është miratuar nga Parlamenti shqiptar dhe është publikuar në Fletoren Zyrtare.

Postimi i Etjen Xhafajt:

Dje ka kaluar në Komisionet e Politikës së Jashtme, si në Senat edhe në Dhomën e Deputetëve në Itali, marrëveshja e pensioneve me Shqipërinë, së bashku me amendamentet për alokimin e fondeve përkatëse. Hapi i fundit mbetet votimi në seancë plenare për këtë marrëveshje, që prek me dhjetëra mijëra shqiptarë. Falënderime për të gjithë ata nga pala italiane e shqiptaro-italiane që janë përfshirë në këtë marrëveshje që në gjenezë të saj!.

Objekti i marrëveshjes janë përfitimet nga skema e detyrueshme e sigurimeve shoqërore që përfshijnë, sigurime për pleqërinë, invaliditetin dhe pensionin familjar, sigurimin për përfitimin për sëmundjet dhe barrëlindjet dhe sigurimin e papunësinë. Janë mbi 500 mijë shtetas shqiptarë në Itali përfitues të drejtpërdrejtë nga kjo marrëveshje dhe rreth 4 mijë shtetas italianë në Shqipëri.

Që prej vitit 2005 e deri më sot Shqipëria ka nënshkruar një sërë marrëveshjes në fushën e sigurimeve shoqërore, ndër të cilat janë me Turqinë, Belgjikën, Hungarinë, Luksemburgun, Çekinë, Maqedoninë e Veriut, Gjermaninë, Austrinë, Bullgarinë, Kanadanë, Rumaninë, Kosovën, me Konfederatën e Zvicrës dhe me Kroacinë.

Pritet të hyjnë në fuqi edhe marrëveshjet me Malin e Zi e Bullgarinë. Ndërsa janë në proces marrëveshjet me Poloninë e Serbinë dhe kanë shprehur dakordësi për fillimin e negociatave vende si Sllovenia, Spanja, Danimarka, Moldavia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Qeveria është në proces të përparuar për marrje dakordësie për fillimin e negociatave me Francën.

marreveshja me italine per pensionet

Sondazh

Poll