Aktualitet

Miratimi i paketës Anti-shpifje, shoqata e gazetarëve nuk tërhiqet: Zhgënjim, President mos e dekreto këtë projektligj

18 Dhjetor 2019, 21:15 Nga DOSJA
Miratimi i paketës Anti-shpifje, shoqata e gazetarëve nuk

TIRANË– Shoqata e gazetarëve nuk është ndalur edhe pas miratimit në Kuvend të paketës Anti-shpifje. Në një njoftim zyrtar, ata shprehen se do të nisin një fushatë të gjerë informimi dhe ndërgjegjësimi të publikut.

Shoqata e gazetarëve shpreh zhgënjimin në lidhje me vendimin e marrë për paketën anti-shpifje pasi e konsiderojnë në kundërshtim të hapur me Komisionin Europian dhe Zyrën e Komisioneres së Lartë për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Europës.

Në fund, ata i bëjnë thirrje Presidentit që të mos e dekretojë këtë ligj që sot u votua në Kuvend.

Reagimi i plotë:

Në përfundim të votimit nga ana e Kuvendit të Shqipërisë të projektligjeve “antishpifje”, rrjeti i organizatave shqiptare përfaqësuese të gazetarëve dhe të të drejtave të njeriut bën këtë deklaratë:

1-Ne dënojmë vendimin e sotëm të Kuvendit të Shqipërisë për të miratuar projektligjet në kundërshtim të hapur me Komisionin Europian dhe Zyrën e Komisioneres së Lartë për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Europës.

2-Ne i bëjmë thirrje Presidentit të Shqipërisë Ilir Meta të mos e dekretojë këtë projektligj.

3-Ne bëjmë të ditur se do të nisim një fushatë të gjerë informimi dhe ndërgjegjësimi të publikut mbi lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias, pjesë e së cilës do të jetë angazhimi afatgjatë për të rrëzuar këto projektligje apo për t’i bërë ato të pavlefshme përmes betejave ligjore dhe qytetare në mbrojtje të lirisë së shprehjes, në gjykatat shqiptare apo në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut.

4-Ne i bëjmë thirrje gazetarëve të vijojnë punën për të raportuar drejtë dhe saktë dhe të mos frikësohen nga ekzistenca e këtyre ligjeve regresive.

5-Ne angazhohemi të mbështesim çdo gazetar që mund të përballet me padrejtësitë që mund të prodhojë një ligj i tillë.

Lista e organizatave firmëtare:

Këshilli Shqiptar i Medias

Lidhja e Gazetarëve të Shqipërisë

Qendra Shqiptare MediaLook

Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore

Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë

BIRN Albania

Citizens Channel

Faktoje

Instituti Shqiptar i Medias

Civil Rights Defenders

Instituti Shqiptar i Shkencave

Komiteti shqiptar i Helsinkit

Qendra Res Publica

Grupi shqiptar në mbrojtje të të drejtave të njeriut

Deklarata vjen pas seancës maratonë në Kuvend, që u finalizua me votimin e paketës Anti-Shpifje, buxhetit për vitin 2020 dhe zgjatjen e gjendjes së fatkeqësisë. Kryeministri tha se Shqipëria është bazuar tek ligjet e Bashkimit Evropian, teksa nuk kurseu as ironitë dhe talljet për gazetarët që kanë dalë hapur kundër paketës, ndërkohë që u përfshi në një replikë me Rudina Hajdarin, si ‘opozitën’ e vetme sot në Kuvend.

(f.m/dosja.al)

 

Tirana është boshatisur për ditët e pushimit. Cilën nga ritet e shenjta po ndiqni:

View Results

aktualitet aktualitet miratohet paketa anti-shpifje paketa antishpifje miratohet paketa anti-shpifje paketa antishpifje

Sondazh

Poll