Sport

'Der Kaiser' Franc Beckenbauer do të ketë rrugën e tij pranë “Allianz Arena”...

Këshilli Bashkiak i Mynihut nderon figurën e futbollistit legjendar gjerman Franz Beckenbauer, që vdiq në janar

19 Shtator 2024, 19:51 Nga DOSJA

'Der Kaiser' Franc Beckenbauer do të ketë rrugën e tij

GJERMANI - Një rrugë pranë “Allianz Arena”, stadiumi i Bayern Munichut, do të emërohet Franz Beckenbauer, në kujtim të futbollistit legjendar gjerman, njoftoi të enjten Këshilli Bashkiak i kryeqytetit bavarez.

“Emërtimi i një rruge është nderimi më i lartë që qyteti i Mynihut mund të bëjë pas vdekjes dhe një shenjë e respektit dhe admirimit të thellë që kemi për Franz Beckenbauer”, tha kryetari i bashkisë Dieter Reiter.

Beckenbauer, i mbiquajtur 'Der Kaiser' (Perandori), vdiq më 7 janar në moshën 78-vjeçare dhe konsiderohet si një nga futbollistët më të mirë të të gjitha kohërave në Gjermani. 

Një lojtar legjendar…

Një mesfushor i konvertuar në një mbrojtës libero, ai fitoi Kupën e Botës si lojtar (1974) dhe trajner (1990), si dhe Kampionatin Evropian (1972), me ekipin gjerman dhe fitoi “Topin e Artë” dy herë (1972 dhe 1976). 

Gjatë 13 viteve të tij te Bayern (1964-1977), ai fitoi tre Kupa Evropiane (1974, 1975, 1976) dhe katër Bundesliga (1969, 1972, 1973, 1974), përpara se të fitonte një tjetër me Hamburgun në 1981-82.

Pjesa e rrugës që kufizohet me stadiumin në veri të qytetit, aktualisht quhet “Werner Heisenberg Allee”, do të quhet “Franz Beckenbauer Platz” (Sheshi Franz Beckenbauer) dhe adresa e stadiumit që do të presë finalen e Champions League, më 31 maj 2025, do të ndryshojë gjithashtu dhe do të bëhet “5, Sheshi Franz Beckenbauer”, pikërisht numri i fanellës së tij historike.

Këshilli i qytetit të Mynihut njoftoi se ndryshimi do të hyjë në fuqi më 7 janar 2025, që përkon me përvjetorin e parë të vdekjes së futbollistit.

Do të ketë edhe një statujë

Beckenbauer pritet të nderohet edhe me një statujë jashtë stadiumit, së bashku me atë të të ndjerit Gerd Müller, golashënuesi dhe shoku i tij legjendar te Bayern.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll