Aktualitet

Pëllumb Gjoka kërkon pavlefshmëri të përgjimeve SKY ECC në Gjykatën Kushtetuese

Pasi Gjykata e Lartë rrëzoi kërkesën e tij për të shpallur përgjimet e pavlefshme dhe heqjen e masës së sigurisë, Gjoka përmes avokatëve të tij ka kërkuar pavlefshmërinë e komunikimeve “SKY ECC”.

16 Shtator 2024, 10:49 Nga I.A
Pëllumb Gjoka kërkon pavlefshmëri të përgjimeve SKY
Pëllumb Gjoka

TIRANË- Investitori strategjik i arrestuar Pëllumb Gjoka ka dërguar në Gjykatë Kushtetuese përgjimet nga aplikacioni SKY ECC, dukë kërkuar që të shpallen të pavlefshme. Pasi Gjykata e Lartë rrëzoi kërkesën e tij për të shpallur përgjimet e pavlefshme dhe heqjen e masës së sigurisë, Gjoka përmes avokatëve të tij ka kërkuar pavlefshmërinë e komunikimeve “SKY ECC”. Padia ka kaluar nga dhoma e këshillimit në seance publike dhe pritet që brenda disa ditëve të shpallet seanca e parë. 

Pëllumb Gjoka, u arrestua në korrik 2023 si anëtar i dyshuar i një organizate kriminale që kishte kryer ndër të tjera vrasje dhe pengmarrje. Ai është pronar i kompanisë “Imperial Group”, me aktivitet në fushën e investimeve në turizëm dhe në lojërat e fatit krahas bizneseve të tjera.

Në vitin 2021, qeveria shqiptare i dha kësaj kompanie statusin e investitorit strategjik për projektin Silver Sand Resort, një projekt masiv që duhet të shtrihet në një sipërfaqe prej 113 mijë metra katrorë për ndërtimin e pallateve, vilave dhe hoteleve. Sipas dokumenteve të publikuara, vlera e planifikuar e investimit ishte 52 milionë euro, nga të cilat, një pjesë do të financohej nga shitja gjatë ndërtimit të apartamenteve dhe vilave.

Hetimi ndaj Gjokës filloi pas mbërritjes së një dosjeje nga Franca. Ndaj tij dhe anëtarëve të tjerë të grupit ka nëntë lloj akuzash për vepra penale, mes të cilave vrasje, korrupsion aktiv e pastrim parash, të kryera në kuadër të grupit të struktuar kriminal. Ndërsa zyrtarët e arrestuar si pjesë e organizatës akuzohen për korrupsion, zbulim të akteve apo të dhënave sekrete, si dhe për sigurimin e kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje.

pëllumb gjoka sky ecc

Sondazh

Poll