Politike

"Vetëm me një vendim që e morën në gusht!" Berisha: Dyshja Rama-Balluku ndanë për të blerë zgjedhjet mbi 250 mln euro

Ai shtoi se zgjedhjet e gushtit në Himarë u grabitën akoma pa u zhvilluar.

1 Shtator 2024, 20:43 Nga M.B
"Vetëm me një vendim që e morën në gusht!"
Sali Berisha

TIRANA- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha sot se vetëm tre javë më parë në një vendim, kryeministri Edi Rama dhe zëvendësja e tij, Belinda Balluku, rritën me 2.2 herë faturën e zgjerimit të rrugës Tiranë-Durrës, faturën e rikonstruksionit të rrugës Tiranë-Plepa si dhe, rritën me 100% faturën e bypasit të Elbasanit. Berisha tha se Rama dhe Balluku ndanë mënjanë para për të blerë zgjedhjet, sipas tij, mbi 250 mln euro. Ai shtoi se zgjedhjet e gushtit në Himarë u grabitën akoma pa u zhvilluar.

Pjesë nga fjala e Berishës:

Miqtë e mi, shtatori la prapa një verë e cila, siç ishte me temperaturat e papara më parë, ishte dhe me shpërthimin e botës së krimit, vjedhjeve si asnjë verë tjetër në histori. Gjatë kësaj vere, mbi 60 qytetarë shqiptarë u vranë në rrugët e vendit nga klanet kriminale, ose vetvranë në banesat e tyre. Gjatë kësaj vere rendi ishte në duart e krimit. Gjatë kësaj vere qeveria mori vendime në të cilat vodhi haptas qindra e qindra milionë euro.

Të dashur miq, vetëm tre javë më parë në një vendim, dyshja famëzeze Rama-Balluku rritën me 2.2 herë faturën e zgjerimit të rrugës Tiranë-Durrës, faturën e rikonstruksionit të rrugës Tiranë-Plepa. Rritën me 100% faturën e bypasit të Elbasanit. Ndanë mënjanë për të blerë zgjedhjet, jo 10 apo 20, por mbi 250 mln euro, vetëm me një vendim që e morën në gusht, në piskun e vapës.

Të dashur miq, gushti filloi me zgjedhjet në Himarë. Ju jeni dëshmitarë se si nga zyrat i grabitën zgjedhjet, i ekzekutuan zgjedhjet pa u zhvilluar ato, ndërkohë narko-shteti iu rrënoi shqiptarëve turizmin, dhe kjo ishte vera e përmbysjes së turizmit, përfitimeve nga potenciali i madh turistik.

Kjo ishte vera e inagurimit të tunelit më të kushtueshëm të planetit, tunelit të Llogarasë. 65 mijë euro për frymë të cilën nuk e ndërton as shteti më i pasur në botë, por e ndërton hajduti i Gjipesë për pronat e tij dhe ryshfetet që ka marrë.

sali berisha

Sondazh

Poll