Politike

Dhunimi për vdekje i Egli Progës, reagon Rama: Policia dhe urgjenca u akuzuan pa baza, autori u arrestua në kohë rekord

Teksa thotë se ndihet i skandalizuar nga ndryshimi i akuzës nga ana e Prokurorisë, shprehet gjithashtu se nuk komenton qëndrimin e organeve të drejtësisë. 

14 Gusht 2024, 13:38 Nga r.ll
Dhunimi për vdekje i Egli Progës, reagon Rama: Policia dhe urgjenca u
edi rama

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka reguar lidhur me vrasjen e 42-vjeçarit, Egli Proga në Pogradec, i cili u dhunua për vdekje nga Denis Meçe. Rama shkruan në një postim në "X" se Policia e Shtetit dhe Urgjenca Kombëtare u akuzuan pa baza për fshehje të ngjarjes dhe dhënies e ndihmës me vonesë. 

Sipas tij policia nxori provat e dokumentuara se autori u arrestua në kohë rekord dhe se urgjenca kishte mbërritur në vendngjarje për 7 minuta. Teksa thotë se ndihet i skandalizuar nga ndryshimi i akuzës nga ana e Prokurorisë, shprehet gjithashtu se nuk komenton qëndrimin e organeve të drejtësisë. 

POSTIMI I PLOTË: 

Sot Policia e Shtetit dhe Urgjenca Kombëtare dhanë publikisht provat që hedhin poshtë agresionin e neveritshëm ndaj tyre lidhur me ngjarjen tragjike të Pogradecit, ku policia u akuzua pa asnjë bazë sikur tentoi të fshihte ngjarjen, ndërsa urgjenca sikur u vonua tejmase në dhënien e ndihmës për viktimën.

Në fakt të gjitha provat e dokumentuara, qoftë të operacionit policor e qoftë të sistemit elektronik të Urgjencës Kombëtare tregojnë, se Policia e arrestoi në kohë rekord autorin për “Vrasje me dashje” dhe Urgjenca iu përgjigj në 7 minuta thirrjes për ndihmë! “Vrasja nga pakujdesia” e ngritur si akuzë nga Prokuroria, e cila tingëllon e pakuptueshme për këdo që është njohur me dinamikën e kësaj ngjarjeje tragjike, nuk ka asnjë lidhje me Policinë e Shtetit apo me punonjësit e urgjencës, të cilët e kanë kryer detyrën me profesionalizëm dhe integritet të plotë ligjor e moral.

Ky është edhe konkluzioni i Agjencisë së Mbikqyrjes Policore, e cila është angazhuar nga Ministria e Brendshme, menjëherë pas daljes së pretendimeve apo fabrikimeve mbi rrjedhën e ngjarjes, duke kryer kontrollin e të gjitha hapave të operacionit për kapjen e autorit të vrasjes.

Duke mos komentuar qëndrimin e organeve të drejtësisë, por duke mirëkuptuar plotësisht indinjatën e kujtdo që ndjehet i skandalizuar nga akuza e ngritur nga Prokuroria, bashkohem me thirrjen e Policisë së Shtetit për të gjitha burimet e përgjegjshme të informimit, që t’i referohen dokumentave të operacionit të policisë si edhe të shërbimit të urgjencës, për të luftuar dizinformimin e keqinformimin e qëllimshëm të publikut dhe nxitjen e urrejtjes ndaj institucioneve shtetërore, përmes lojës së turpshme me një vdekje tragjike për lloj-lloj motivesh të dobëta politike, mediatike apo edhe thjesht jonjerëzore.

edi rama egli proga

Sondazh

Poll