VIDEO/ "I solla për të ruajtur votën", Gjikuria pas deklaratës së Tavos: SPAK të parandalojë deformimin e rezultatit zgjedhor
Sipas tij, Tavo pranoi po live se po manipulon dhe ndikon zgjedhësit në Himarë dhe Dhërmi kur deklaroi publikisht se në zyrë kishte 600 certifikata të ASHK gati për tu shpërndarë.
31 Korrik 2024, 19:03Nga M.B
Petro Gjikuria
HIMARA- Kandidati i opozitës, Petro Gjikuria, për bashkinë e Himarës në zgjedhjet e pjesshme të 4 gushtit ka reaguar me anë të një videoje kundër akuzave të kandidatit të mazhorancës Vangjel Tavo për vjedhje votash. Gjikuria thotë se nuk mundet opozita t'i vjedhë vota pushtetit teksa shton se e kundërta ka ndodhur në Himarë.
Gjikuria adreson edhe çështjen e Tavos tashmë të kallëzuar në SPAK, për 13 personat që u zhvendosën nga Dropulli në Borsh duke i bërë thirrje Prokurorisë së Posaçme të ndalojë manipulimin e zgjedhjeve. Sipas tij, Tavo pranoi po live se po manipulon dhe ndikon zgjedhësit në Himarë dhe Dhërmi kur deklaroi publikisht se në zyrë kishte 600 certifikata të ASHK gati për tu shpërndarë.
"Nisur nga deklaratat publike të z.Tavo mbrëmjen e djeshme në emisionin "Now" dua t'i bëj me dije atij dhe organeve ligjzbatuese se: Nuk mund të mendohet se do vidhet vota për Vangjel Tavon në Himarë. Nuk mundet opozita t'i vjedhë votat pushtetit. E kundërta ka ndodhur ne Himarë. Pushteti vodhi mandatin e ligjshëm dhe votat e himariotëve për z.Beleri.
Për 13 shtetasit nga Dropulli, familjarë dhe miq të vet që ka sjellë dhe regjistruar në Borsh , z.Tavo e pranoi publikisht dje , live , se i ka sjellë vet , kuptohet , në bashkëpunim me vet ata , për të manipuluar rezultatin zgjedhor sic edhe kam kallëzuar në SPAK para pak ditëve.
Z/Tavo pranoi po live , në të njëjtin emision se po manipulon dhe ndikon zgjedhësit në Himarë dhe Dhërmi kur deklaroi publikisht se në zyrë kishte 600 certifikata të ASHK gati për tu shpërndarë.
I bëj thirrje prokurorisë së posaçme të konstatojë gjendjen e flagrancës në krime zgjedhore dhe të parandalojë deformimin e rezultatit zgjedhor nga kandidati Tavo në bashkëpunim me struktura shtetërore që veprojnë në Himarë duke ndikuar zgjedhësit", ka thënë Gjikuria.