Politike

U arrestua për shpërdorim detyre, GJKKO i sekuestron pasuritë ish-kryetarit të Himarës, Jorgo Goros

Ditën e sotme GJKKO vendosi pro kërkesës së SPAK për të sekuestruar një apartament të Goros në Vlorë me sipërfaqe 81.41 m2.

31 Korrik 2024, 15:32 Nga I.A
U arrestua për shpërdorim detyre, GJKKO i sekuestron pasuritë
Jorgo Goro

TIRANË- Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka sekuestruar pasuritë e ish-kryebashkiakut të Himarës Jorgo Goro. Ditën e sotme GJKKO vendosi pro kërkesës së SPAK për të sekuestruar një apartament të Goros në Vlorë me sipërfaqe 81.41 m2. Ish kryebashkiaku i Himarës është nën hetim pasuror nga SPAK dhe akualisht është vënë me dy masa sigurie në 'arrest në burg'. 

Njoftimi i Apelit të GJKKO:

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtari Florjan Kalaja, sot më 31.07.2024, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 29, datë 26.07.2024 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 428, datë 15.07.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për caktimin e masës së sigurimit pasuror, sekuestro preventive”, dhe vendosi:

Ndryshimin e Vendimit nr. 428, datë 15.07.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin e Krimin e Organizuar.
Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Caktimin e masës së sigurimit pasuror “Sekuestro Preventive”, në bazë dhe për zbatim të nenit 274 të Kodit të Procedurës Penale, për pasurinë numër ***, volumi ***, faqe ***, Zona Kadastrale nr. ***, lloji i pasurisë “Apartament”, sipërfaqja e përgjithshme 81.41 m2, adresa e pasurisë ***, për llogari të Procedimit Penal nr. 189, të vitit 2023 të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në lidhje me veprën penale të parashikuar nga neni 257/a/II i Kodit Penal, me person nën hetim Z. J.G.
Ngarkohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara për ekzekutimin e këtij vendimi.
Kundër këtij vendimi mund të ushtrohet rekurs nga cilido që ka interes në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve, duke nisur ky afat nga dita e nesërme e marrjes dijeni për vendimin e arsyetuar.

Goro u arrestua me dyshimet se ka shpërdoruar detyrën në dy raste. Në rastin e parë, sipas SPAK, Goro bashkë me Drejtorin e Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës në Bashki, Jerasimo Bashi, kanë përcjellë tek institucione të tjera dokumente të falsifikuara për një pronë mbi 5 500 metër katrorë në Dhërmi, pa kryer verifikime, duke çuar në regjistrimin e pronës shtet në favor të privatit.

Edhe në rastin e dytë, të dy ata, referuar Prokurorisë, kanë zhvendosur në terren një sipërfaqe tokë bujqësore mbi 5 mijë metër katrorë, duke ia mbivendosur atë një pasurie tjetër në pronësi të shtetit.Nën “arrest shtëpie” janë lënë ish-drejtori i ASHK Vlorë, Bilbil Aliaj dhe ish-juristi në këtë institucion, Vezir Gjikoka. Masat e sigurisë, u ekzekutuan këtë të shtunë për dy të fundit dhe Jorgo Goron, teksa ish-zyrtari i Bashkisë, Jerasimo Bashi dhe shtetasi Stavri Mëhilli u shpallën në kërkim.

jorgo goro

Sondazh

Poll