Politike

Shtyhet seanca në GJKKO për "Gërdecin"/ Mungon Mediu dhe avokati i tij, mbrojtja e ish-ministrit paraqet 113 pyetje për ekspertët

Prokurori Klodian Braho kërkoi që të vazhdojë seanca në mungesë të Mediut, kërkesa u pranua nga gjyqtarja Irena Gjoka, e cila vendosi që ish-ministri të mbrohet vetëm nga avokati Ligori.

17 Korrik 2024, 09:38 Nga r.ll
Shtyhet seanca në GJKKO për "Gërdecin"/ Mungon Mediu
fatmir mediu

TIRANË- Në GJKKO është mbajtur seanca e radhës për çështjen "Gërdeci". Sipas raportimeve, ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu dhe avokati i tij mbrojtës Ardian Visha, mungojnë në seancë. I pranishëm është vetëm avokati Henrik Ligori. Ndërkohë prokurori Klodian Braho kërkoi që të vazhdojë seanca në mungesë të Mediut, kërkesa u pranua nga gjyqtarja Irena Gjoka, e cila vendosi që ish-ministri të mbrohet vetëm nga avokati Ligori.

Gjykata relaton që në sekretarinë e gjykatës janë paraqitur pyetjet me shkrim për ekspertët, ku në total janë 113 pyetje të  paraqitura nga mbrojtja e Mediut. Në seancë gjithashtu mungon eksperti Ymer Stafa, sipas tij për arsye shëndetësore. Prokurori Klodian Braho dhe avokati Ligori kanë kërkuar praninë e ekspertit që mungon. Seanca e radhës është caktuar të mbahet më 31 Korrik ora 09:00.

Ish-ministri, Mediu po hetohet për çështjen "Gërdeci", tragjedi e cila ndodhi në 15 mars të vitit 2008, ku nga shpërthimi i punishtes së demontimit të armëve mbetën 26 të vrarë dhe qindra të plagosur. Mediu po gjykohet për dy akuza, atë të “Shpërdorimit të Detyrës” dhe “Shpërdorim i detyrës në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues”.  Ish-ministri ka mohuar akuzat ndaj tij, duke u shprehur se gjatë detyrës ka zbatuar gjithnjë ligjin.

fatmir mediu gjkko

Sondazh

Poll