Sport

“Euro 2024”/ Zvicra mposht Hungarinë dhe i bashkohet Gjermanisë në krye të Grupit A…

Helvetët fitojnë 3-1 ndaj Hungarisë, e cila ishte e përgjumur dhe me shumë gabime

15 Qershor 2024, 17:15 Nga DOSJA
“Euro 2024”/ Zvicra mposht Hungarinë dhe i bashkohet

GJERMANI - Zvicra e nis në mënyrën më të mirë të mundshme Europianin “Gjermani 2024”, me skuadrën helvete që fitoi 1-3 ndaj Hungarisë, takim i vlefshëm për Grupin A që u luajt në Këln.

Zvicra diktoi ritmin në pjesën e pare, e cila kaloi shumë shpejtë në avantazh, pas 12 minutash lojë me anë të Duah, që i vetëm përballë Gulacsi nuk gaboi dhe çoi në rrjetë pasimin e Aebischer.


Ky i fundit ishte protagonist absolut edhe në minutën e fundit të kohës së rregullt në pjesën e parë, me mesfushorin e Bologna-s që realizoi edhe golin e dytë për Zvicrën, me 27-vjeçarin që shënoi një gol shumë të bukur.


0-2 dhe kështu u mbyll pjesa e parë, teksa në fraksionin e dytë hungarezët ndryshuan kurs, duke përmirësuar e ndryshuar ritmin e ndeshjes.

Në minutën e 66-të Varga ngushtoi rezultatin, me 29-vjeçarin që përfitoi në maksimum nga pasiguria e mbrojtjes “helvete” dhe duke ndalur në rrjetë krosimin e Szoboszlait.


Por, pavarësisht dëshirës dhe volumit, Hungaria nuk ia doli të evitonte humbjen, teksa në krahun tjetër Zvicra realizoi edhe golin e tretë në minutën e tretë të shtesës, me Embolo që gjeti rrjetën pas një kaosi në prapavijën e skuadrës së Rossi-t.


Zvicra e nis mbarë Europianin dhe tani ngjitet në krye të Grupit A së bashku me Gjermaninë dhe në krahun tjetër Hungaria pozicionohet në vendin e tretë, por pa pikë ashtu si Skocia.

B.T (Dosja.al)

 

Sondazh

Poll