Aktualitet

Mashtrimi 600 mijë euro/ Gjykata e Apelit lë në fuqi dënimin me 5 vite burg për ish- punonjësen e BSH, Milena Deraj

Milena Deraj u mori Hasan Verracaku, Abedin Verracaku, Shyqyri Verracaku, shumën prej 340 mijë eurove me pretendimin se do t’i ndihmonte në gjyq.

13 Qershor 2024, 16:57 Nga r.ll
Mashtrimi 600 mijë euro/ Gjykata e Apelit lë në fuqi dënimin
milena deraj

TIRANË- Gjykata e Apelit ka lënë fuqi dënimin për ish-punonjësen e Bankës së Shqipërisë, Milena Derajn e cila akuzohet për kryerjen e veprës penale "Mashtrim'. 

31-vjeçarja u arrestua rreth një vit më parë, pasi mashtroi disa persona duke u marrë shuma të majme parash. Milena Deraj u mori Hasan Verracaku, Abedin Verracaku, Shyqyri Verracaku, shumën prej 340 mijë eurove me pretendimin se do t’i ndihmonte në gjyq. Ndërkohë, si ish-punonjëse e Bankës së Shqipërisë ajo ka mashtruar shoqen duke i marrë shumën prej 230 mijë euro në këmbim të bonove të thesarit.

Kur shoqja e saj e ka kuptuar se ishte mashtruar dhe nuk po merrte bonot në këmbim të parave është paraqitur në polici për të denoncuar rastin. Nga ana tjetër, në polici është paraqitur edhe Milena Deraj, e cila ka pretenduar se është kërcënuar dhe kanosur nga Verracakët. Këta të fundit, e provuar nga hetuesit, kanë zbuluar se kërcënimet janë bërë sidomos nga djali Abedin Verracaku, i cili i ka shkruar mesazhe kërcënuese.

Më pas, Policia ka shpallur në kërkim Abedin Verracaku, Shyqyri Verracaku dhe Hasan Verracaku (babai dhe dy djemtë), të tre banues në Shkodër, pasi me vetëgjyqësi kanë kanosur Milena Derajn, për kthimin e parave.

NJOFTIMI I GJYKATËS: 

Referuar raportimeve të mëparshme në media, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, informon sa më poshtë:

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm, mbi bazën e materialeve kallëzuese të vitit 2023, ka regjistruar procedimin penal për veprën penale të “Mashtrimit”,  ndaj të pandehurës me iniciale M. D, ish punonjëse e Bankës së Shqipërisë, me profesion ekonomiste. E pandehura ka përfituar shumën prej 340.000 Euro, duke mashtruar shtetasin me iniciale A. D etj, duke i marrë përsipër zgjidhjen e çështjes gjyqësore, ndaj disa të pandehurve. Po ashtu dhe shoqes së saj me iniciale E. Sh, i ka marrë shumën prej 250.000 Euro, duke  premtuar se këto para do t’i investonte në bono thesari.

Në Gjykatën e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, është zhvilluar gjykimi kundër të pandehurës me iniciale M. D, e akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Mashtrimit” me pasoja të rënda,  parashikuar nga neni 143/3 të Kodit Penal.

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me vendimin nr. 1088, datë 30.04.2023 ka vendosur:

Deklarimin fajtore të pandehurës M. D, për kryerjen e veprës penale të “Mashtrimit” me pasoja të rënda, parashikuar nga neni 143/3 i Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e saj me 7 (shtatë) vite e 6 (gjashtë) muaj burgim.

Në aplikim të nenit 406 te Kodit te Pr.Penale, i ulet 1/3 e masës se dënimit dhe përfundimisht e pandehura M. D, dënohet me 5 (pese) vite burgim.

Vuajtja e dënimit do të fillojë nga dita e ndalimit datë 25.05.2023. Dënimi i mbetur do të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme.

Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të  bërë nga e pandehura me iniciale M. D, e cila kërkoi:

Ndryshimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.

Deklarimin e të pandehurës të pafajshme.

Në rast se gjykata e gjen fajtore kërkojmë:

– Deklarimin fajtore të të pandehurës, për veprën penale të “Mashtrimit”, të parashikuar nga neni 143/3 të Kodit Penal dhe dënimin e saj me 5 (pesë) vite burgim.

– Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale, i ulet 1/3 e dënimit duke e dënuar përfundimisht me 3 (tre) vite e 4 (katër) muaj burgim.

– Aplikimin e nenit 59 të Kodit Penal, pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burgim dhe vënien e të pandehurës në provë.

Në përfundim të gjykimit, sot më datë 13.06.2024, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, trupi gjykues me Relator Gjyqtar z. Fatri Islamaj dhe anëtare znj. Edlira Petri dhe znj. Marsela Pepi, vendosi:

– Lënien në fuqi të vendimit nr. 1088, datë 30.04.2024 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.

Tiranë, më 13.06.2024

GJYKATA E APELIT TË JURIDIKSIONIT TË PËRGJITHSHËM

milena deraj

Sondazh

Poll